Mbrëmje kampionësh, City-Real dhe Bayern-Arsenal premtojnë spektakël

Një spektakël i jashtëzakonshëm që mund të zgjasë 90 ose 120 minuta, e ndoshta edhe mund të mbyllet pas ekzekutimit të penalltive. Kjo është sfida e kthimit në çerekfinalet e Champions ndërmjet Mançester Sitit, kampion në fuqi i Europës dhe Realit të Madridit, skuadra që e ka fituar më tepër trofeun.

Marketing

Pas barazimit të jashtëzakonshëm 3-3 në Bernabeu, gjithçka është e hapur. Në dy edicionet e fundit, ekipi që ka fituar këtë duel, është shpallur kampion.

Me gjasë, i njëjti skenar mund të përsëritet edhe tani. Pasi mori kreun e renditjes në Premier Ligë, Siti do të bëjë maksimumin për tu kualifikuar edhe në Champions. Që kjo të realizohet nevojiten golat e Haland. Në anën tjetër, Reali i këtij sezoni duket një skuadër më kompakte dhe i ka drejtuar sytë nga Belingam, që në takimin e parë ishte disi në hije.

Pasi vështroi mes dëshpërimit festën e Leverkusen në Gjermani, Bajerni i Mynihut do të luajë fatet e sezonit kundër Arsenalit. Pa objektiva të tjerë të mbetur, bavarezët duhet të shfrytëzojnë faktorin fushë, pas barazimit 2-2 në Londër.

Megjithatë, në letër anglezët duket sikur kanë më tepër shanse të kalojnë në gjysmëfinale, edhe sepse kanë paraqitur më shumë kualitet në lojë dhe janë më të freskët fizikisht. Bajerni duhet të heqë dorë nga Dejvis i skualifikuar, i cili i shtohet mungesave të Koman dhe Gnabri.

Mazraui pritet të luaj në krahë të mbrojtjes, de Ligt do të jetë titullar në qendër ndërsa Kim në stol. Te topçinjtë, Zhorzhinjo do të jetë organizator, Havertz do të veprojë si 9 false, i mbështetur nga Saka dhe Martineli nga krahët.