Mbyllen përkohësisht banjat e Katllanovës

Ortopedë, defektologë dhe anesteziologë të cilët nuk janë shtetas të Maqedonisë, në mënyrë ilegale dhe pa licencë për punë nga Dhoma e Mjekëve, kanë mjekuar pacientë në banjat e Katllanovës.

Marketing

Të njëjtit kanë qenë të angazhuar me punë në sektorin për rehabilitim mjekësor, pa lejen e autoriteteve shëndetësore të vendit. Madje, as vetë banjat nuk kanë pasur licencë për veprimtari mjekësore. Këto parregullsi i zbuluan më 14 prill inspektorët e Inspektorati Shtetëror Sanitar dhe Shëndetësor, që dolën në terren pas raportimit të një prindi të revoltuar, që bënte në këto banja terapi fizike për fëmijën e tij të sëmurë nga paraliza cerebrale. Për shkak të këtyre parregullsive, banjat e Katllanovës do të mbyllen përkohësisht në pjesën e shërbimeve shëndetësore. Pas disa ditësh inspektimi, drejtorët e institucionit kanë marrë vendim që të mos pranojnë pacientë të rinj për terapi fizike.

“Pacientët të cilët momentalisht janë atje, do të qëndrojnë deri në kryerjen e periudhës që është caktuar për trajtim. Nuk do të ketë shqetësim apo ndonjë çrregullim në trajtimin e pacientëve të cilët janë hospitalizuar atje. Ndalesa vlen për pranimin e pacientëve të rinj. Prej sot, në banjat e Katllanovës do të ndalohet trajtimi mjekësor të cilin e mbulon Fondi për Sigurim Shëndetësor, ndërsa çdo trajtim tjetër që mbështetet nga vetë banja, mund të funksionojë pa asnjë problem. Trajtimi që mbështetet nga vetë banjat nuk hyn në ndryshimet e Ligjit për kujdes shëndetësor, prandaj edhe mund të zbatohet”,- tha kryetarja e Inspektoratit Sanitar Shtetëror, Irina Sotirova-Buhova.

Edhe përkundër mungesës së lejeve, shërbimet për pacientët janë mbuluar nga Fondi Shëndetësor. Përveç inspektoratit shëndetësor, punën në banjat e Katllanovës e ka inspektuar edhe Policia financiare.

Marketing