Kopshti zoologjik është i mbyllur që nga mëngjesi i sotëm, ndërsa janë evakuuar edhe punëtorët, mëson Meta.mk nga burime në kopshtin zoologjik të Shkupit, të cilët duan të mbeten anonim.
Jozyrtarisht, bëhet fjalë për një bakter dhe nuk përjashtohet edhe një virus tek patat që mund të infektojë njerëzit. Ditët e fundit kanë ngordhur dhjetra pata dhe tani po vdesin edhe pjesa tjetër.
Ushtruesi i detyrës, drejtor i Kopshtit zoologjik në Shkup, Zoran Popov, nuk iu përgjigj thirrjeve tona, ndërsa drejtori i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, Oliver Milanov, shkurt na tha se ka qenë në kopshtin zoologjik që herët në mëngjes dhe se do të bëhen të gjitha analizat e mundshme, për të parë saktësisht se për çfarë bëhej fjalë.
“Për momentin nuk mund të jap ndonjë informacion konkret derisa të marrim rezultatet e analizave”, na tha Milanov.
Kopshti zoologjik në Shkup, ku kryetarja Danela Arsovska zëvendësoi katër drejtorë në mandatin e saj të deritanishëm, vazhdimisht është nën kritika serioze në opinion për shkak të numrit të madh të kafshëve të ngordhura dhe mostransparencës në punë gjatë viteve të fundit.