Sipas rezultateve të para jozyrtare, Ekrem Imamoglu kryeson në votimet për bashkinë e Stambollit. Qendrat e votimeve janë mbyllur në orën 17:00, me orën lokale, dhe sipas mediave turke, kandidati i opozitës udhëheq me 53.72% të votave përballë ish-kryeministrit Binali Yildirim, i cili raportohet se ka siguruar 45.37% të votave.
Kjo diferencë, nëse konfirmohet në fund të numërimit të votave, është më e thellë se ajo e zgjedhjeve të para, që u anuluan nga gjykata.
Duket se Yildirim e ka pranuar humbjen në këto zgjedhje, pasi është shprehur për mediat: “Aktualisht, kundërshtari im është duke kryesuar. E përgëzoj dhe i uroj atij suksese.”
Pas 25 vitesh, që kur Rexhep Taip Erdogan u zgjodh kryebashkiak i Stambollit në vitin 1994, drejtimi i këtij qyteti do i takojë një force opozitare.