14/11/2024
Ballina Lajme Kosovë Mbyllja e degëve të Postës së Serbisë në Veri, Sveçla: Ajo që...

Mbyllja e degëve të Postës së Serbisë në Veri, Sveçla: Ajo që po bën Kosova është diçka normale

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, e ka mbrojtur aksionin e autoriteteve të Kosovës të ndërmarrë më 5 gusht, kur u mbyllën nëntë degë të Postës së Serbisë në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe.

Gjatë një vizite në Mitrovicë të Veriut, Sveçla u pyet nga gazetarët për aksionin, i cili u kritikua nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

“Çfarë janë duke bërë institucionet e Kosovës është shumë normale. Ato nuk kanë pasur licencë”, tha Sveçla.

Një ditë më parë, nga Policia e Kosovës thanë se aksioni u zhvillua pas informatës së pranuar nga Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP) se në territorin e Kosovës po operojnë operatorë ekonomikë pa licencë dhe që nuk janë të regjistruar në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve në Kosovë (ARBK).

Autoritetet mbyllën nga tri objekte në Mitrovicë të Veriut dhe Leposaviq, në Zveçan dy, dhe një në Zubin Potok.

Bashkimi Evropian e kritikoi aksionin, duke thënë se ishte një veprim i njëanshëm dhe i pakoordinuar i autoriteteve të Kosovës.

Blloku argumentoi se një veprim i tillë shkel dialogun për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga BE-ja.

Marketing

Edhe Shtetet e Bashkuara thanë se janë “thellësisht të zhgënjyera” për mbylljen e degëve të Postës së Serbisë.

Ambasada amerikane në Prishtinë tha se veprimet “e pakoordinuara të Kosovës përballin shtetasit e Kosovës dhe ushtarët e KFOR-it me rrezik të madh, nxisin përshkallëzim të panevojshëm të tensioneve rajonale, dhe minojnë reputacionin e Kosovës si partnere e besueshme ndërkombëtare”.

Mbyllja e objekteve u dënua edhe nga zyrtarët e Postës së Serbisë, Lista Serbe, dhe institucioneve shtetërore të Serbisë.

Sveçla gjatë qëndrimit në Mitrovicë të Veriut, u pyet nëse duhet të hapet për qarkullim të veturave ura mbi lumin Ibër që ndan Mitrovicën e Jugut, të banuar me shumicë shqiptare, me atë të Mitrovicë të Veriut, të banuar me shumicë serbe.

“Ura do të hapet, nuk ka asnjë arsye që të mos hapet. Tash, kur do të hapet është çështje e vlerësimit të ekspertëve”, tha ai.

Qeveria e Kosovës së fundi ka përsëritur qëndrimin e saj që ura duhet të hapet për qarkullim.

Në fillim të gushtit, kryeministri kosovar, Albin Kurti, paraqiti para përfaqësuesve diplomatikë të shteteve të QUINT-it dhe BE-së planin e Qeverisë për hapjen e urës mbi lumin Ibër.

“Plani parasheh testimet për stabilitetin infrastrukturor të urës, vlerësimin e rrezikut dhe rreziqeve nga fatkeqësitë natyrore, rivitalizimin vizual të urës me qasje në urë për të gjithë, diskutimet me qytetarë dhe grupe të interesit si dhe fushatën e informimit gjithëpërfshirës mbi përfitimet dhe qëllimet e hapjes së urës”, tha Qeveria më 2 gusht.

Por, hapja e urës po kundërshtohet nga bashkësia ndërkombëtare. BE-ja, ndërkaq, po kërkon që çështja e urës të jetë temë e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

Në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, palët janë pajtuar që ura të hapet për qarkullim, por kjo nuk është realizuar kurrë në praktikë. Është hapur vetëm njëra anë e saj për këmbësorë.

Diskutimet për urën janë aktualizuar në muajt e fundit, pas thirrjeve në Kuvendin Komunal të Mitrovicës së Veriut që ura të hapet tërësisht për qarkullim. Këtë komunë në veri të Kosovës e udhëheq Erden Atiq nga partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje./REL