Më 31 janar të vitit 1990, në Moskë u hap dyqani i parë McDonalds, pas disa dekadash lufte të ftohtë që çoi në izolimin e Bashkimit Sovjetik e shkatërrimin e ekonomisë.
Filiali ishte një bashkëpunim i McDonalds Canada me bashkinë e Moskës, dhe kur u përfundua ishte në fakt dyqani më i madh McDonalds në botë. Drejtori i McDonalds Canada e kishte ëndërruar që në vitin 1976, dhe ditën e hapjes shpresonte të shiste 1000 hamburger, por 5000 rusë u mblodhën që para se të hapej.
Edhe pse çmimi ishte mjaft i kripur për moskovitët e atyre viteve, kureshtja e madhe e asaj botës së ndaluar kapitaliste bëri që ata të dynden me mijëra e të krijojnë radhë të gjata, në të cilat prisnin me këmbëngulje vetëm për të provuar hamburgerin e famshëm amerikan. Ajo që u krijua ishte një simbol i situatës politike midis lindjes dhe perëndimit.