Deri në fund të kësaj jave do të dihet emri i kryeministrit teknik që do të dal nga partia në pushtet LSDM. Sekretari i përgjithshëm i kësaj partie, Lupço Nikollovski paralajmëroi se të premten më 27 dhjetor do të publikohet kandidati për kryeministri teknik, i cili do të marrë dritën jeshile nga organet e larta partiake,
Lidhur me publikimet në media se në rrethin më të ngushtë për kryeministër të ri teknik janë Spasovski dhe Carovska, Nikollovski theksoi se ata janë një prej ministrave me kredibilitet mjaft të lartë. Por jozyrtarisht burime partiake konfirmojnë se ministri i brendshëm Oliver Spasovki pritet të jetë kryeministri teknik, i cili do ta zëvendësoj kryeministrin aktual Zoran Zaev. Këto ndryshime bëhen në prag të zgjedhje të parakohshme parlamentare të 12 prillit, në bazë të Marrëveshjes së Përzhinës së vitit 2015. Sipas kësaj marrëveshje, 100 ditë para zgjedhjeve duhet zgjedhur qeveri të parakohshme me kryeministër teknik që do të organizojë zgjedhjet e parakohshme. Atë kohë kryeministër teknik u zgjodh Emil Dimitriev nga radhët e VMRO-DPMNE, pas tërheqjes së ish-kryeministrit Nikolla Gruevski. Andaj sipas kësaj marrëveshje, Zaev duhet të largohet më 3 janar dhe se po të njejtën ditë pritet zgjedhja e Qeverisë teknike. Në kuadër të Qeverisë teknike do të përfshihet edhe opozita, e cila do të drejtoj ministrinë e brendshme, ministrinë e punëve sociale, ministrinë e bujqësisë, por edhe poste të zv/ministrave. Kjo qeveri do të jetë e obliguar për të organizuar zgjedhjet e 12 prillit.