Zgjedhjet brenda partisë për kryetar të Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë (LSDM), të cilat u shtynë për shkak të tragjedisë në Koçan, do të mbahen më 6 prill, ka vendosur Bordi Qendror i partisë në seancën e mbrëmshme.
Siç ishte përcaktuar paraprakisht nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i partisë, i vetmi kandidat për kryetar të LSDM-së është lideri aktual Venko Filipçe.
Ai u zgjodh kryetar i partisë në zgjedhjet e jashtëzakonshme brenda partisë në fund të qershorit të vitit të kaluar, pasi paraardhësi i tij në këtë pozitë, Dimitar Kovaçevski, dha dorëheqje pas rezultateve të dobëta të LSDM-së në zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale.
Fillimisht zgjedhjet e rregullta të brendshme partiake për kryetar të LSDM-së ishin caktuar të mbaheshin më 16 mars, por u shtynë, pasi në mëngjesin e hershëm të së njëjtës ditë në kabarenë e ashtuquajtur “Puls” në Koçan, ndodhi zjarri tragjik në të cilin humbën jetën 59 persona dhe rreth 200 u lënduan.