Me dokumente fals tentuan ta shisnin parcelën 250 mijë euroshe, Policia jep detaje për aksionin

Policia e Kosovës ka dhënë detaje lidhur me aksionin që u zhvillua dje, ku u arrestuan tre persona të dyshuar për mashtrim me prona.

Marketing

Përmes raportit 24 orësh, Policia ka bërë me dije se tre burra dhe një grua kanë tentuar që me dokumente të falsifikuara të bëjnë një kontratë te noteri, autorizim për shitje të një parcele në vlerë rreth 250 mijë euro.

Një prej të dyshuarve ndodhet në arrati, e tre të tjerët janë dërguar në mbajtje.

“Gjilan 19.09.2024, NN. Është raportuar se katër të dyshuar, tre meshkuj dhe një femër kosovarë, kanë tentuar që me dokumente të falsifikuara të bëjnë një kontratë te noteri, autorizim për shitje të një parcele në vlerë rreth 250 mijë euro. Gjatë veprimeve hetimore është arritur të identifikohen dhe të arrestohen tre të dyshuarit dy meshkuj dhe një femër, ndërsa njëri gjendet në arrati. Me vendim të prokurorit pas intervistimit të dyshuarit janë dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin 24 orësh.

Në njoftimin që ka lëshuar dje Policia është thënë kryerjen e mashtrimit kishin tentuar ta kryenin në një zyrë noteriale në Gjilan.

“Pas ndërmarrjes së veprimeve gjithëpërfshirëse hetimore, hetuesit policor identifikuan të dyshuarit, kohën dhe vendndodhjen e tyre të synuar për kryerjen e mashtrimit, në një zyrë noteriale në Gjilan. Kësisoj, rreth orës 11:30, policia arrestoi tre të dyshuar, (dy meshkuj dhe një femër) dhe në përputhje me aktvendimin e nxjerrë nga prokurori i shtetit, caktoi masën e ndalimit prej 48 orësh. Hetimet e mëtejshme kanë çuar në identifikimin edhe të një të dyshuari tjetër i cili aktualisht është në kërkim nga ana e policisë”.