Reshjet e borës të dy ditëve të fundit, kanë bërë që Sezoni turistik sivjet në kodër të Diellit të fillojë në kohë dhe me kapacitet të plotë. Trashësia e borës në këtë pikë turistike ka kaluar një metërshin, ndërsa edhe parapërgatitjet për fillim të mbarë të sezonit, janë në përfundim e sipër thotë drejtori i Elem Turs, Adem Avziu.
“Parapërgatitjet për fillimin e sezonit janë në fazën finale. Gjithçka është drejt përfundimit, kemi borë të mjaftueshme, kapacitetet e ski ashensorëve janë në kondicion të rregullt dhe të gjithë të testuar. Me fillimin e sezonit do lëshojmë gjithë ski ashensorët, por varet nga kushtet klimatike, erës dhe kushteve tjera, që ditën e hapjes së sezonit, të vendoset se cili është i përtatshëm për tu lëshuar që të marrin në konsideratë edhe sigurinë e turistëve”, tha Adem Avziu Drejtor i Elem Turs.
Kapacitet hotelerike janë pothuajse plot, si ato shtetërore, po ashtu edhe ato private. Interesimi i turistëve nga Shqipëria dhe Kosova është në nivel të duhur, me çka, 85 për qind e kapaciteteve tanimë janë të rezervuara.
“Fillimi i mbarë gjysmë e punës është një shprehje. Rënia e borës dhe me sasi të këtillë që ka rënë ka dhënë një okupim të madh sa i përket rezervimeve. Ka interesim shumë të madh jo vetëm nga turistët e Shqipërisë por edhe nga Kosova dhe turistë të huaj. 85 për qind e hotelit është e rezervuar, që gjatë fundjavës arrin një qind për qind”, tha Elton Apoloni Menaxher hoteli.
Çmimet e biletave për skjim por edhe marrjes së skive me qera për sivjet janë rritur për 100 gjegjësisht 200 denar të ditorëve, shkaku i krizës ekonomike, por edhe përkundër rritjes së çmimeve, interesimi nga turistët nuk mungon, edhe përkundër faktit se Sezoni nuk ka filluar ende.
“Çmimet sivjet do jenë më të larta, do jenë 400 denar për një ditë për një palë ski, dhe do kemi saja plastike që do jenë 200 denar sepse këto metalike nuk do i përdorim më se janë të ndaluara”, tha një shitës i skive.
Nëse gjithçka shkon mbarë në aspektin klimatik, pra të mos ketë erë apo shi, sezoni turistik do të fillojë me datë 15, ndërsa dy ditët e para, përdorimi i ski lifteve, dhe gjashtë ulëses për vizitorët do të jetë pa pagesë.