“Me aktvendimin lirues, vlerësoj se gjykata do t’i jep fund agonisë dhe vuajtjeve të mija, por edhe të anëtarëve të familjes sime, të cilët 593 ditë jetojnë jetë nën hije të rëndë, si dëm kolateral i këtij procesi të akuzës”, dekalroi Muhamed Zekiri, i akuzuar (ish sekretar gjeneral i Qeverisë).
Me zërin që i dridhej, duke treguar për vështirësitë që ka kaluar ai dhe familja që nga arrestimi i tij, ish-sekretari gjeneral i Qeverisë, Muhamed Zekiri, kërkoi nga gjykata lirimin, sepse siç tha, nuk është fajtor për veprën për të cilën akuzohet.
“Në fillim të vitit, papritmas ndërroi jetë vëllai im më i ri, i cili prapa tij la 3 fëmijë të mitur, ndërsa më pas bashkëshortes time, ashtu siç është dokumentuar në gjykatë, u diagnostikua me sëmundje të rëndë. Mjekimi i saj zgjat tashmë 9 muaj, ende nuk ka përfunduar dhe nuk e dimë se si do të përfundojë”, tha Muhamed Zekiri, i akuzuar (ish sekretar gjeneral i Qeverisë).
Prokuroria për luftë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit e akuzon Zekirin se gjatë periudhës prilli 2021 deri në janar 2022 , si Sekretar i Përgjithshëm të Qeverisë, pa kryer prokurim publik, ka lidhur kontrata për shërbime konsulence. Prokurorja Katerina Kolareviq pasi lexoi gjithë aktakuzën, duke treguar se si është zhvilluar i gjithë procesi i lidhjes së marrëveshjeve pa tender, për SHA Posta dhe MZ Transport, në vlerë prej rreth 940 mijë euro dhe 422 mijë euro, kërkoi nga gjykata që nga i akuzuari të konfiskohet pasuri në vlerën e dëmit të shkaktuar.
“Propozoj që gjykata ta lejojë dhe zbatojë konfiskimin e propozuar dhe njëkohësisht ta obligojë të akuzuarin me kompensim në shumën që paraqet dëm të buxhetit në përputhje me shkresën e Avokaturës shtetërore të RMV-së”, pohoi Katerina Kolareviq, prokurore.
Avokatët e Zekirit para trupit gjykues deklaruan se nuk është shkaktuar dëm ndaj buxhetit dhe se kjo as nuk përmendet në akuzën e prokurorisë, andaj thanë se klienti i tyre duhet të lirohet nga akuza sepse mungojnë dëshmitë.
“Prokurorja për Ndjekje të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit nuk ka dorëzuar dëshmi të mjaftueshme se i akuzuari e ka kryer veprën penale që rëndon mbi të e gjatë debatit kryesor u dëshmua se aspak nuk është bërë vepra penale nga i akuzuari”, tha Vlladimir Andreevski, avokat i të akuzuarit Zekiri.
Kjo seancë ishte për fjalët përfundimtare për këtë lëndë. Të premten e ardhshme Gjykata Penale do ta shpallë aktgjykimin për ish-sekretarin e përgjithshëm të qeverisë. Gjykimi për Zekirin ka nisur nga fillimi pasi që sipas ndryshimeve të Kodit Penal, lënda ku ai akuzohet për “keqpërdorim të detyrës zyrtare” është rikualifikuar. Sipas nenit 353, Zekiri ndiqej sipas paragrafit 5 të këtij nenit i cili parashikonte dënim me burg prej minimum 5 vitesh burg, ndërkaq ky paragraf është fshirë dhe tani do të ndiqet sipas nenit 4, i cili parashikon dënim me burg prej 1 deri në 5 vjet.