Tejkalimi i problemeve në funksionimin e deponisë rajonale Rusino është parashikuar me paratë e Bankës evropiane për rindërtim dhe zhvillim, paralajmëroi ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti pas takimit me kryetarin e Komunës së Gostivarit dhe udhëheqësinë e NP Rusino – Pollog. Prokurimi i mekanizimit do të ulë dukshëm shpenzimet e ndërmarrjes tha ministri. Mexhiti përmendi se është informuar për situatën dhe për të parë më saktë gjendjen e deponisë dhe si mund të trajtohet.
“Ministria e Mjedisit Jetësor tashmë është duke zhvilluar një procedurë tenderimi me mjete nga BERZH, nga të cilat janë marrë 55 milionë euro. Një pjesë e mirë e tyre do të shkojnë edhe për deponinë Rusino. Ideja është që diku rreth muajit mars, gjithçka që deponia paguan aktualisht si outsourcing, të ketë si mekanizim të vetë”, tha Mexhiti. Sipas tij, një blerje e tillë padyshim që do t’i ndihmojë funksionimit, por edhe siç ka theksuar, do të zvogëlojë obligimet që NP Rusino-Polog ka ndaj kompanive të jashtme. Një nga gjërat më të rëndësishme që planifikohet të financohet me këto mjete është ndërtimi i një stacioni transferues në Tetovë ku do të grumbullohen mbeturinat.
Me qëllim të përmirësimit të efikasitetit të deponisë së Rusinës, zëvendëskryeministri dhe ministri i ekologjisë Mexhiti, paralajmëroi projekt që synon monitorimin e gjithë procesit të menaxhimit të mbeturinave në rajonin e Pollogut. Në atë mënyrë, siç tha ai, do të shihet se ku janë mangësitë dhe do të përmirësohet sipas standardeve të kërkuara, si dhe është planifikuar prokurimi i kontejnerëve dhe automjeteve për transport të ndërmarrjeve publike komunale.