Me shfaqjen “As andej-as këndej” hapet festivali “Teatri shqiptar në Maqedoni”

Në Qendrën për Kulturë në Dibër mbrëmë në solemnitet ishte hapur edicioni i 18-të i festivalit “Teatri shqiptar në Maqedoni”.

Marketing

Festivalin e hapi kryetari i komunës së Dibrës Hekuran Duka, ndërsa nderi të parët të dalin para publikut dibran u takoi anëtarëve të teatrit kumanovar – drama shqiptare me shfaqjen “As andej- as këndej”, në dramatizim të Ilir Ajdinit, ndërsa në regji të Kastriot Abdilit.

“E kam nderin ta shpall të hapur këtë manifestim të rëndësishëm, gjë që e bën qytetin tonë të njohur, qytetarët e të cilit dinë të njohin çka do të thotë shfaqje e mirë dhe në mënyrë adekuate ta shpërblejnë. Dibra dhe të gjithë ne, qytetarët e saj, krenohemi që jemi nikoqirë të shtëpive të njohura teatrore. Premtoj se si pushtet lokal do të vazhdojmë, në suaza të mundësive tona, ta mbështesim mbajtjen e festivalit”, tha mes tjerash Duka.

Duke përshëndetur publikun dhe mysafirët nga disa qytete të vendit, si dhe nga qyteti kufitar shqiptar Peshkopia, drejtori i festivalit Ylber Nuredini paralajmëroi se në ditët e ardhshme të festivalit do të mbajnë shfaqje teatrot nga Tetova, Gjirokastra, Presheva, Gjilani, Prishtina dhe Ferizaji.

“Edhe ky edicion është mbështetur nga ana e Ministrisë së Kulturës të Maqedonisë me 600 mijë denarë, por pa mbështetje të pushtetit lokal dhe sponzorëve rëndë se ka mundur të realizohet në tërësi. Edhe sonte prej këtu e përsëris kërkesën deri te Ministria e Kulturës që festivali të institucionalizohet dhe të marrë mjete të mjaftueshme për mbajtjen e tij”, tha Nuredini.

Festivali përfundon më 11 tetor kur para ndarjes së çmimeve për shfaqjen më të mirë, aktorin dhe aktoren, regjinë para dibranëve, jashtë konkurencës do të marrë pjesë teatri kombëtar kosovar me shfaqjen “Karnevalet korçare” në regji të Altin Bashës.