Qindra shqiptarë kanë dalë me makina gjatë natës në rrugët e Londrës për të festuar ditën e pavarësisë së Shqipërisë.
Pamjet video të publikuara nga media britanike, Daily Mail, tregojnë makinat luksoze Audi, Range Rovers dhe Porsche 4×4 të mbuluara nga flamujt kuq e zi, të cilat ndalojnë rreth Westminsterit.
Burra dhe gra mund të shihen duke valëvitur flamurin shqiptar ndërsa varen nga xhamat e makinave të tyre.
Në zona të tjera të Londrës, makinat kryenin manovra ndërsa të rejat te veshura me fustane tradicionale kërcenin në rrugë.
Po ashtu u hodhën fishekzjarrë ndërsa vargu i gjatë i automjeteve u binin vazhdimisht borive për të festuar pavarësinë e Shqipërisë.
Ndërkohë në rrugën e Londrës nuk kanë munguar as efektivët e policisë, duke u përpjekur të përmirësojnë qarkullimin e automjeteve.