Ahmeti për të siguruar një të ardhme afatgjatë për integruesit. I gjithë zemërimi i grumbulluar kundër BDI-së nga qeverisja 20 vjeçare nuk mund të falet, as nuk mund të sigurohet një amnisti për të gjitha gabimet dhe abuzimet politike. Kjo është arsyeja pse Ahmeti luajti me shumë mençuri, duke mbetur partneri i vetëm i besueshëm i faktorit ndërkombëtar. Me gazetarin Destan Jonuzi analizojmë se si do të reflektojë befasia e BDI-së tek opozita duke përfshirë partitë politike maqedonase dhe shqiptare dhe nëse ky “ribrendim” do të jetë i suksesshëm.
Shkruan: Destan Jonuzi
Cili është motivi për manevrën e fundit politike të Ali Ahmetit, a ka frikë partia e cila pas 20 vitesh në pushtet ka një model të paqëndrueshëm të qeverisjes, kështu që kjo është një përpjekje për ta transformuar dhe faktorizuar partinë në afat të shkurtër para zgjedhjeve e gjitahshtu edhe në afat të gjatë në sytë e faktorit ndërkombëtar?
Aspiratat mbi të cilat u themelua BDI në vitin 2002 për barazi etnike përmes Marrëveshjes Kornizë të Ohrit janë konsumuar në masë të madhe, madje një përqindje e madhe janë realizuar. Në ndërkohë, Marrëveshja Kornizë e Ohrit ka skaduar dhe shumica e postulateve tashmë po praktikohen. U pa se BDI është një parti e transformimeve të mëdha, politike, kadrovike dhe ajo që është shumë e rëndësishme, një parti e cila mori mbi supe edhe përgjegjësitë shtetërore, të cilat ishin të suksesshme ose më saktësisht përfunduan me një epilog pozitiv në favor të qytetarëve të Maqedonisë së Veriut.
Duke pasur parasysh këtë, BDI vazhdoi trendin e saj të inovacionit. Pas 20 vjetësh në pushtet, BDI me shumë elegancë dhe mjeshtëri mund të vazhdojë me të njëjtën retorikë politike dhe të krijoj tema të tjera të të njëjtit diskurs politik, për shembull, për të zgjedhur kryetarin e parlamentit. Nuk e realizoi atë! BDI me transformimin e saj ideologjik është tre hapa përpara të gjitha partive të tjera. Nuk ka asnjë parti të djathtë apo të majtë në Ballkan që ka bërë një transformim kaq të madh. Ali Ahmeti edhe një herë dëshmoi se ai është një politikan vizionar që ndërton politikat e partisë së tij si një nevojë imediate e kohës. Mendoj se qëllimi i Ali Ahmetit është që të faktorizojë BDI-në në skenën ndërkombëtare. Nëse BDI arrin të bashkohet me grupin e partive të gjelbra evropiane, i cili është hapi tjetër i Ahmetit, atëherë ne do të kuptojmë se ky projekt është krijuar për një udhëtim më të gjatë politik, dhe kështu BDI do të jetë edhe më e faktorizuar si në politikën e jashtme ashtu edhe në atë të brendshme, tha Jonuzi.
Faktori ndërkombëtar për gjatë vite ka investuar para të majme në fushën e ekologjisë dhe gjelbërimit në Maqedoninë e Veriut ndërsa kemi shumë pak rezultate. Unë mendoj se një parti e madhe si BDI me këtë orientim programor do të bëjë një kthesë të madhe në skenën politike të Maqedonisë. Ky hap do të detyrojë partitë e tjera të zëvendësojnë premtimet dhe politikat e mëdha nacionaliste, të urrejtjes ndëretnike, të temave historike në realitet, në jetën e përditshme të qytetarëve, të cilët kërkojnë një jetë më të mirë në vendbanimet ku jetojnë, shton Jonuzi.
A ka fytyrë BDI-ja për të promovuar veten si një parti e gjelbër ndërsa në të njëjtën kohë ajo I ka të gjitha ministritë përgjegjëse për mjedisin, kurse në terren kryetarët e komunave të cilët mundësuan ndërtime të paligjshme në zona të mbrojtura, ndotje të madhe, keqmenaxhim të mbeturinave dhe shkatërrim të mjedisit?
Nëse fillojmë nga kjo, atëherë VMRO-DPMNE nga 2006 në 2017 drejtoi Ministrinë e Punëve të Jashtme, dhe Maqedonia nuk u bë anëtare e NATO-s, në të njëjtën kohë duke bllokuar procesin e integrimit evropian. VMRO-DPMNE gjithashtu udhëhoqi Ministrinë e Transportit dhe Lidhjeve dhe ne pamë se çfarë marrëzie urbane bëri, ajo betonizoi gati gjysmën e Maqedonisë. Lidhur me ndërtimet pa leje, mendoj se në disa komuna ato toleroheshin qëllimisht, por gjithkund, në të gjitha komunat pa përjashtim, mund të gjenden të tilla. Kjo kërkon strategji nacionale.
Mundësia për transformim nuk mund t’i merret askujt, madje asnjë partie. Kontributi për një jetë më të mirë të qytetarëve, me mbështetjen e politikave të gjelbra, nuk është në pronësi të askujt, kështu që çdo mbështetje është një thirrje për t’iu bashkuar kësaj kauze, të cilën ai e konsideron si rrugën politike të 20 viteve të ardhshme të politikës evropiane, kjo ndihmon vetëm për të lehtësuar hapin drejt dy shtigjeve. Politikat e gjelbra së shpejti do të jenë pjesë e partive dhe programeve zgjedhore të partive të tjera në Maqedoni, tha Jonuzi.
Si do të merren partitë shqiptare me BDI-në, e cila është e rrënjosur thellë në ideologjinë nacionaliste, a do të bëhen ato edhe më radikale dhe si do të jetë reagimi i elektoratit shqiptar ndaj ndryshimeve të tilla?
BDI është gjithmonë një hap përpara partive shqiptare të opozitës. Në vend që të ofrojnë alternativa ndaj programeve dhe politikave të BDI-së, ato promovojnë politikat e integruesve. Me sarkazmin e tyre në rrjetet sociale kundër platformës së re politike të BDI-së, ata vetëm e bëjnë këtë projekt edhe më të popullarizuar. Ajo që partitë shqiptare të opozitës mund të kishin bërë ishte të ofronin një platformë alternative kundër asaj të BDI-së, për shembull t’iu kundërviheshin atyre me një program ekonomik që do të ishte i pranueshëm nga votuesi.
Unë mendoj se qytetarët shqiptarë, si dhe maqedonasit dhe grupet e tjera etnike në Maqedoninë e Veriut po kërkojnë më shumë jetë urbane, më shumë gjelbërim, ujë të pastër dhe Maqedoni ku ajri nuk do të ndotet. Këto tema janë shumë të rëndësishme për qytetarin e zakonshëm, madje edhe më të rëndësishme, sepse disa herë nuk kemi arritur të marrim një datë për fillimin e negociatave me BE. Unë mendoj se BDI tashmë ka zgjuar interesin e shumë votuesve të pavendosur dhe se me këtë program në zgjedhjet e Tetorit ajo përsëri do të jetë forca më e madhe politike midis shqiptarëve. Ndërsa opozita, nëse nuk e kundërshton këtë projekt me një projekt serioz, ambicioz dhe me shumë interes për qytetarët dhe vazhdon me të njëjtën retorikë, akuzat për atë që BDI bëri ose nuk bëri për shqiptarët, do t’i humbasë këto zgjedhje. Qytetarët janë lodhur nga retorika që ka një dozë urrejtje dhe zemërimi, ata po kërkojnë konkurrencën e ideve dhe programeve, përfundon Jonuzi.