Të vetmen gjë që e fitoi Bullgaria nga “propozimi francez” për zhbllokimin e integrimeve evropiane të Maqedonisë së Veriut është përfshirja e bullgarëve në Kushtetutën e vendit para fillimit të bisedimeve për klastere, e jo siç dëshironte Shkupi para përfundimit të procesit negociues për anëtarësim, vlerëson portali bullgar “Fakte.bg” në komentin kushtuar fillimit të bisedimeve me BE-në.
Sipas autorit të komentit, përveç kësaj, Bullgaria nuk arriti ta mbrojë qëndrimin e saj për gjuhën maqedonase, ndërsa nuk ka marrë as garanci të mjaftueshme për zbatimin e kërkesave në lidhje me zbatimin e Marrëveshjes së Fqinjësisë së Mirë dhe Miqësisë nga viti 2017.
“Si atëherë mund të supozojmë se propozimi është i mirë për ne? De fakto, ky propozim është ‘mace në thes” dhe vetëm nacional-nihilistët jashtëzakonisht të papërgjegjshëm munden në bazë të informacioneve që i kanë në dispozicion të thonë se është i mirë”, vlerëson “Fakte.bg”.
Sipas portalit, manipulim i pastër i përfaqësuesve të autoriteteve në Sofje është pohimi se me “propozimin francez” janë mbrojtur interesat bullgare “me precedentin marrëdhëniet dypalëshe ndërshtetërore të përfshihen në kornizën evropiane për procesin e bisedimeve”.