Në fushatën e zgjedhjeve të fundit lokale, kandidatët dhanë premtime ambicioze sa u përket projekteve që planifikonin të realizojnë në komunat me të cilat synonin të drejtojnë.
Të tilla premtime u bënë edhe nga kryetarja e Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska për komunat e Shkupit, përfshirë Komunën e Çairit.
“Këtu do të jetë edhe një nga mega parqet që janë planifikuar në qytet. Në formatin e parkut të qytetit të Shkupit”, ka thënë Danela Arsovska- kryetare e Shkupit.
Sa i përket megaparkut, kryetarja e Shkupit tha se ka kërkuar nga Komuna e Çairit që të sugjerojë një lokacion të përshtatshëm për megaparkun. Komuna e Çairit është një nga komunat më të dendura dhe gjetja e një parcele për të ndërtuar një megapark në formatin e atij të Qytetit të Shkupit duket paksa e vështirë.
“Nga atje na kanë dërguar lokacion konkret dhe potencial ku mund të zbatojmë këtë ide. Në terren bëhet sondazh për të verifikuar pronësinë e parcelës për të definuar kur dhe në çfarë afati mund të fillohet me aktivitete. Besoj se në bashkëpunim me Komunë e Çairit do të kemi rezultate konkrete gjatë muajit të ardhshëm”, u shpreh ajo.
Kryetari i Komunës së Çairit, Visar Ganiu, thotë se sipërfaqja, koordinatat e të cilat ia kanë dërguar kryetares së Shkupit, ndodhet në Fushë Tophanë.
“Është me të vërtet një hapësirë e madhe, përafërsisht 11 mijë m2. Janë shtetërore, një pjesë e vogël është private dhe mendojmë se ai do të jetë projekti i parë nga investimet kapitale që Qyteti i Shkupit do të bëjë në Komunë e Çairit”, tha Visar Ganiu- kryetar i Komunës së Çairit.
“Megaparku për të cilin flet kryetarja e Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska, planifikohet që të realizohet në këtë sipërfaqe prej 11 mijë metër katrorë që ndodhet pas meje. Megjithatë një sipërfaqe e tillë prej 11 mijë metër katrorë, mbetet e diskutueshme se sa mund të quhet një megapark”, raporton gazetarja e Alsat, Evi Shkopi.
Në parcelën e përmendur tashmë ka një park, megjithatë i njëjti nuk është i mirëmbajtur.
Banorët i gëzohen lajmit për këtë projekt, por thonë se pas realizimit, si institucionet ashtu edhe banorët duhet të kujdesen për mirëmbajtjen e tij.
“Është e nevojshme, si nuk është e nevojshme, sepse këtu ka një popullatë të madhe. Nuk e di, jam pesimist, por të shpresojmë se do të realizohet. Mirëpo edhe ne jemi fajtor, sepse parku ka qenë i rregulluar dhe nuk e kemi mirëmbajtur. … Nuk është dëmtuar vet ajo nga natyra, por e kanë dëmtuar njerëzit”, thotë një banor.
“Ka edhe gjasa edhe mundësi që të ndërtohet. Kjo është lagje e madhe. Po jam shumë optimist. Duhet të ketë përgjegjësi. Çdo gjë që do të ndërtohet mbetet për të rinjt apo për ne që jemi në pension, del ulesh dhe shijon natyrën”, shprehet një banor tjetër.
Me realizimin e këtij premtimi Fushë Tophana do ë kishte një park më të bukur, por shumë larg parametrave të parkut të qytetit, pasi vetëm pjesa hyrë se në parkun e Qytetit është 16 mijë metër katrorë./ Alsat.mk