Meidani për mossanksionimin e Serbisë: Nuk e njohin sa duhet orientimin e saj

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian nuk e njohin sa duhet Serbinë, thotë ish-presidenti i Shqipërisë, Rexhep Meidani. Ai konsideron se ky shtet po luan mes Evropës dhe Rusisë, duke u përpjekur të përfitojë në të dyja anët. Kështu shprehet ai, teksa komenton mos-sanksionimin e Serbisë për aktin e agresionit më 24 shtator në Banjskë të Zveçanit. Në intervistën për KosovaPres, Meidani thotë se kjo ngjarje tregon se Serbia nuk ka qenë asnjëherë e sinqertë në procesin e dialogut dhe se ka luajtur teatër gjatë gjithë kësaj kohe.

Marketing

“Ishte një ngjarje e rëndë, jo vetëm për sulmin por ishte e rëndë edhe në gjithë procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë. Nga ana tjetër, tregoi që Serbia në këtë proces të dialogut nuk është e sinqertë dhe po luan ose ka luajtur më shumë teatër gjatë gjithë kësaj kohe për të përfituar. Dhe përshtypja ime është që Kosova është treguar dinjitoze, qoftë në gjithë këtë proces dialogu por dhe Policia e Kosovës u tregua jo vetëm dinjitoze por edhe tepër e aftë. Dhe kjo tregon që aty punohet që procesi demokratik dhe procesi i zhvillimit në Kosovë është në rrugën e duhur dhe kjo duhet të kuptohet jo vetëm nga partnerët që janë pjesë e dialogut por edhe të gjitha vendet evropiane dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, thotë ai.

Serbia ende nuk është sanksionuar nga Bashkimi Evropian për aktin e agresionit në Banjskë të Zveçanit, për çka Meidani konsideron se të njëjtën nuk po e njohin sa duhet.

“Ka një problem, nuk e njohin sa duhet Serbinë dhe orientimin e saj. Ajo po luan midis Evropës-Bashkimit Evropian dhe Rusisë, duke u përpjekur që të përfitojë në të dyja anët. Por, unë mund të them vetëm kaq: historia ka të ardhme dhe për të parë mirë këtë të ardhme është se si do të mbyllet lufta në Ukrainë. Në qoftë se Rusia humbet, Serbia me këtë lloj loje që bën do humbas. Ajo duhet të mendojë sot që të ndjekë një rrugë, rrugën evropiane. Dhe në rrugën evropiane ajo mund të ecë përpara. Ndryshe, duke kërcyer nga një kali në kalin tjetrin, ajo nuk mund të eci përpara dhe i gjithë procesi i zhvillimit të saj por edhe vet proceset në Ballkan do të kenë pasoja jopozitive”, shton ai.

Ish-presidenti i Shqipërisë komenton edhe raportet mes Edi Ramës dhe Albin Kurtit, ku thotë se elitat politike duhet të bashkëpunojnë.

“Këto janë pastaj pjesë e politikave që janë edhe individuale. Por në fund të fundit, rezoluta u miratua në Parlamentin e Shqipërisë dhe ishte në favor të Kosovës. Natyrisht që mua nuk më pëlqejnë përplasjet e drejtuesve politik në të dy vendet. Natyrisht që gjëja më e mirë është që të bashkëpunojnë në çdo moment, të konsultohen dy elitat politike me njëra-tjetrën. Sepse çështjet janë kaq të thella, kaq komplekse, sa çdo konsultë i shërben kombit shqiptar. Dhe unë nuk e kuptoj përplasjen midis individëve, qoftë edhe për arsye që mund të jenë arsye të thjeshta personale”, deklaron ai për KosovaPress.

Tutje, Meidani konsideron se firmosja e Asociacionit të komunave me shumicë serbe me kompetenca ekzekutive është në dëm të Kosovës.

“Kosova të paktën në këtë periudhë ka qenë e denjë në gjithë procesin e saj. Për sa i përket çështjes së asociacionit unë nuk jam shumë partizan i atyre deklaratave të fuqishme. Mund të ndërtohet një Asociacion që të mos ketë kompetenca ekzekutive, kjo mund t’i shërbejë çështjes. Por, çdo firmosje e Asociacionit me kompetenca ekzekutive është në dëm të Kosovës, ose edhe në dëm të stabilitetit rajonal. Sepse do të ushqejë edhe një herë ato ambiciet e Serbisë, ashtu siç u ushqyen në Bosnjë-Hercegovinën”, shprehet ish-kryetari i Shqipërisë.

Ish-presidenti i Shqipërisë, Rexhep Meidani thotë se nuk ka asgjë të keqe nga dialogu dhe se duhet të vazhdohet ky proces.

“Nga dialogu nuk ka asnjë gjë të keqe. Çfarë vendoset në dialog dhe cili është rezultati i dialogut, kjo është më e rëndësishme. Në dialog mund të shkojnë, ashtu ka shkuar edhe Vuçiqi në dialog, mban pozicione që janë të gjitha eterike dhe pa rezultat. Në dialog shkohet të përpiqesh të fitosh nga dialogu dhe natyrisht dhe në bashkëpunim me ndërkombëtarët, por asnjëherë në kurriz të interesave kombëtare dhe të popullit të Kosovës”, përfundon Mejdani.

Në orët e para të mëngjesit të 24 shtatorit është vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, ndërsa janë plagosur edhe policë të tjerë. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në fshatin Banjska të Zveçanit ku terroristë serbë kanë sulmuar patrullën policore.