Memedi në takim zyrtar me ambasadoren zvicerane Suter Tejada

Kryetari i RDK-së Vesel Memedi sëbashku me Sekretarin e përgjithshëm Suhejl Fazliu, sot realizuan takim me ambasadoren e Zvicrës në Maqedoninë e Veriut, ekselencën e sajë, Sybille Suter Tejada.

Marketing

Kryetari Memedi falënderoi ambasadoren Tejada për takimin dhe theksoi se shteti zviceran gjithnjë ka dhënë kontribut të çmuar për demokratizimin dhe zhvillimin e vendit tonë, dhe këtë po e dëshmon më së miri projekti i fundit 10 vjeçar, që finansohet kryekëput nga shteti zviceran, për përforcimin e kapacitetit të Parlamentit të vendit që duhet të jetë në shërbim sa më të mirë të demokracisë parlamentare në vend. Kryetari Memedi e njoftoi ambasadoren Tejada me aktivitetet rrjedhëse në RDK, sidomos pas mbajtjes së Kongresit partiak, duke u ndalur në veçanti në përgatitjet përfundimtare rreth zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Kryetari Memedi nënvizoi se bota perëndimore ka sakrifikuar mjaft për diseminimin e vlerave demokratike nëpër botë, dhe tani është koha që frutet e kësaj sakrifice të dalin në sipërfaqe.

Ambasadorja zvicerane Sybille Suter Tejada, falënderoi kryetarin Vesel Memedi për vizitën, duke theksuar se Ambasada zvicerane do të vazhdojë me realizimin e projekteve të hartuara, si në nivel nacional ashtu edhe atë lokal, me qëllim që të ndihmojë në përforcimin e kapacitetit demokratik, sidomos nëpërmes Parlamentit të Maqedonisë së Veriut, me qëllim që ky institucion i lartë i shtetit të jetë sa më pranë qytetarëve në vendimmarrje.

Marketing