Memli Krasniqi viziton familjet e Hashim Thaçit e Kadri Veselit

Kryetari i ri i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka qëndruar sot për vizitë tek familja e ish-Presidentit Hashim Thaçi në Burojë dhe tek familja e ish-kryeparlamentarit Kadri Veseli në Mitrovicë.

Marketing

Pas takimeve në dy familjet atdhetare të themeluesve të UÇK-së dhe PDK-së, Krasniqi ka shkruar në faqen e tij në Facebook se Kosova mburret me ta dhe e pret kthimin e tyre triumfues, sepse siç ka thënë ai, e tillë ishte lufta për çlirim – e drejtë, e pastër dhe fitimtare.

“Në Burojë dhe në Mitrovicë, në dy shtëpitë atdhetare që ishin frymëzim për çdo mendje e zemër patriotike, për t’i takuar prindërit dhe familjarët e dy liderëve tanë që shënuan historinë e përpjekjeve të shqiptarëve të Kosovës për liri, pavarësi dhe shtet-ndërtim, Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli. Malli për djemtë e tyre, që padrejtësisht po mbahen në Hagë, është i madh. Sytë e tyre e flasin këtë, ashtu siç balli i tyre e rrëfen një jetë të tërë me sakrifica. Por, krenaria për bijtë e tyre dhe për vlerat e tyre kombëtare – i mund të gjitha. Kosova mburret me ta dhe e pret kthimin e tyre triumfues, sepse e tillë ishte lufta për çlirim – e drejtë, e pastër dhe fitimtare”, ka thënë kreu i PDK-së Memli Krasniqi.