Merkel akuzon Rusinë për sulm kibernetik ndaj zyrës së saj

Kancelarja gjermane Angela Merkel akuzoi Rusinë për një fushatë kibernetike kundër saj dhe shumë ligjvënësve në Bundestag.

Marketing

Duke folur në parlament gjatë një seance me pyetje dhe përgjigje, Merkel tha se ata kanë “prova të fuqishme” që tregojnë se agjencitë ruse qëndrojnë prapa një sulmi kibernetik të vitit 2015 që kishte në shënjestër kompjuterët në zyrën e saj dhe zyrat e parlamentarëve.

“Kjo është mizore”, theksoi ajo, duke konfirmuar raportimet e mediave që një hetim i bërë së fundmi nga Zyra e Prokurorisë Federale ka zbuluar shumë detaje dhe ka identifikuar hakerin e dyshuar.

Gazeta javore Der Spiegel raportoi se i dyshuari ishte një oficer i zbulimit ushtarak rus dhe se autoritetet kanë lëshuar një urdhër arrestimi për të.

Merkel tha se Rusia po ndjek një strategji të “luftës hibride”, duke kryer sulme të tilla kibernetike dhe përhapur fakte të shtrembëruara.

“Përkundër kësaj, unë do të vazhdoj përpjekjet e mia për marrëdhënie të mira me Rusinë, sepse besoj se ka çdo arsye për t’i vazhduar këto përpjekje diplomatike, por natyrisht, kjo nuk do ta bëjë më të lehtë”, tha ajo.