Kancelarja gjermane Angela Merkel ka bërë thirrje për t’u vaksinuar kundër COVID-19, në sfondin e rritjes së numrit të infeksioneve.
“Tani ka mjaft vaksina”, tha Merkel pas konsultimeve me 16 kryeministrat e landeve.
“Në këtë mënyrë, të gjithë do të mbroni veten, por edhe ata që nuk mund të vaksinohen. Ky është një kontribut për komunitetin”, shtoi ajo.
Kancelarja theksoi se do të ishte mirë që të arrihej një normë vaksinimi “mbi 70 për qind dhe deri në 80 për qind”.
Aktualisht, 55,1 për qind e popullsisë së përgjithshme është vaksinuar plotësisht me dy dozat e nevojshme.
Fjalët e Merkel vijnë në një kohë kur ritmi i vaksinimit në Gjermani është ngadalësuar në mënyrë të konsiderueshme.