Konsultimet e para zyrtare midis qeverive të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian për propozimin e Komisionit Evropian (KE) për të hapur bisedimet e anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut, do të fillojnë që nga java e ardhshme, mirëpo rezultati i këtyre shqyrtimeve është herët për t’u parashikuar, kanë thënë për Zhurnal.mk burimet qeveritare gjermane në Berlin.
Një zëdhënës i qeverisë gjermane të kancelares Angela Merkel, ka thënë për Zhurnal.mk se
qeveria federale e Gjermanisë “e përkrahë perspektivën Evropiane të krejt vendeve të Ballkanit Perëndimor”.
I njëjti përkujtoi se me 18 qershor, ministrat e jashtëm të qeverive të BE-së do të diskutojnë për raportin e KE të 29 majit.
Qeveria e Francës as deri më tash nuk e ka ndërruar mendjen dhe ajo ende është kundër hapjes së bisedimeve.
I pyetur nëse Kancelarja Merkel është optimiste se bisedimet e të dy qeverive, përkatësisht edhe të saj me Kryetarin francez Emmanuel Macron edhe për çështje të tjera të brendshme të BE-së, do të bëjnë që ky i dyti të ndryshojë mendjen e t’i thotë PO propozimit të KE-së për hapje të bisedimeve të BE-së me Maqedoninë e Veriut, zëdhënësi për Zhurnal.mk se kjo është herët që të parashikohet.
“Kjo çështje do të bisedohet në Këshillin e Çështjeve të Përgjithshme (të BE-së) në Bruksel të Martën. Ne nuk mund të parashohim rezultatin e këtyre bisedimeve,” tha për Zhurnal.mk një zëdhënës i qeverisë federal të Gjermanisë.
Ndërkohë i njëjti zyrtar gjerman tha se qeveria gjermane duhet që të arrijë një marrëveshje me parlamentin gjerman për vendimin për të hapur bisedimet e anëtarësimit.
“Shprehja e qëndrimeve në Bundestagun gjerman ende po vazhdon. Prandaj një aprovim nga ana e Bundestagut nuk mund të ndodhë në qershor,” tha për Zhurnal.mk zëdhënësi i qeverisë gjermane, duke konfirmuar kështu atë që e tha të enjten Kryeministri Zoran Zaev pas takimit me Angela Merkelin se para shtatorit qeveria gjermane nuk do të ketë dritën e gjelbër nga parlamenti gjerman për të mundur votuar PO në Këshillin e BE-së.