Merkel përpiqet të ndërmjetësojë mes Turqisë dhe Greqisë

Marrëdhëniet midis Greqisë dhe Turqisë për shfrytëzimin e rezervave natyrore vazhdojnë të përkeqësohen. Kancelarja Merkel po përpiqet të ndërmjetësojë.

Marketing

Tensionet midis Turqisë dhe Greqisë në Mesdheun Lindor po rriten. Marina franceze dhe greke zhvilluan një stërvitje të përbashkët ushtarake të enjten si një sinjal drejt Turqisë për mosmarrëveshjen për të drejtat për shfrytëzimin e rezervave të gazit dhe të naftës.

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan paralajmëroi nga ana e tij se kushdo që do të sulmojë anijen eksploruese turke do të paguajë një “çmim të lartë”. Anija eksploruese turke “Oruc Reis” filloi punën të hënën. Ajo shoqërohet nga anije luftarake turke.

Presidenti francez Emmanuel Macron kishte njoftuar më parë se do të forcojë praninë ushtarake franceze në Mesdheun Lindor. Franca, ashtu si BE-ja, i ka kërkuar Turqisë të ndalojë shpimet për naftë dhe gaz në zonën e diskutueshme detare mes Turqisë dhe Greqisë. Macron dhe kryeministri grek Kyriakos Micotakis folën në telefon të mërkurën.

“Emmanuel Macron është një mik i vërtetë i Greqisë dhe një mbrojtës i patundur i vlerave evropiane dhe ligjieve ndërkombëtare,” shkroi Micotakis më pas në frëngjisht në Twitter. Franca është gjithashtu një nga kritikueset më të mprehta të qeverisë turke për shkak të zhvillimeve në Libi.

Për javë të tëra mes dy vendeve anëtare të NATO-s, Greqisë dhe Turqisë, ka tensione në rritje për pretendimet e e tyre për disa zona në Mesdheun Lindor, ku mendohet se ka burime naftës dhe gazit. Një nga problemet është se Turqia dhe Libia kishin rënë dakord për ndarjen e zonave të tyre ekonomike në Mesdhe – por kjo bie në kundërshtim me një marrëveshje të ngjashme midis Greqisë dhe Egjiptit.

Kancelarja Angela Merkel po përpiqet të ndërmjetësojë në konflikt. Një zëdhënës i qeverisë konfirmoi që Merkeli kishte biseduar përsëri të enjten në telefon me Erdoganin dhe Micotakis. Tema kishte qenë situata në Mesdheun lindor, tha zëdhënësi pa dhënë detaje të mëtejshme./DW