Merkel, Stoltenberg dhe Kurc këtë javë në Shkup

Në vigjilje të referendumit të caktuar për më 30 shtator, në Shkup këtë javë vijnë kancelarët e Gjermanisë dhe Austrisë, Angela Merkel dhe Sebastian Kurc, si dhe sekretari i përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg.

Marketing

Ardhjen e tyre e paralajmëroi kryeministri Zoran Zaev, duke theksuar se ajo që tre burrështetas botërorë këtë javë e vizitojnë Shkupin është një sinjal pozitiv, mirënjohje dhe mbështetje për Maqedoninë.

“Të mërkurën në mbrëmje vjen Stoltenberg, për herë të dytë në gjashtë muaj, të premten kancelari austriak Kurc, ndërsa të shtunën Merkel. Ardhja e tre burrështetasve botërorë është mirënjohje për Maqedoninë, sinjal pozitiv. Ata na e shtrijnë dorën që të shkojmë përpara”, theksoi kryeministri.

Sipas tij, edhe opozita është e vetëdijshme se ky është momenti për BE-në dhe NATO-n, moment kur të gjithë, siç theksoi, duhet të jemi së bashku dhe të bashkohemi për Maqedoninë evropiane. Zaev theksoi se është i bindur se qytetarët e Maqedonisë do ta njohin dhe nuk do ta humbin shansin historik që do ta sigurojë ardhmërinë e shtetit dhe gjeneratave të ardhshme.

Merkel të shtunën vjen në Shkup, siç paralajmëroi zëdhënësi i saj Shtefen Zajbert, që nga dora e parë të formojë përshtypje për referendumin vijues.

“Ende po punohet në programin, por mund t’ju them se kancelarja do të takohet me kryeministrin e IRJM-së Zoran Zaev”, deklaroi Zajbert dhe shtoi se fokusi i takimit do të jenë “ngjarjet rajonale, tema bilaterale”, dhe se Merkel “gjithsesi dëshiron që vetë në vendin e ngjarjes të formojë përshtypje në prag të referendumit për çështjen për emrin e vendit, i cili do të mbahet në fund të muajit”.

Mesazh për inkurajim mbrëmë dërgoi edhe përfaqësuesja e lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri Federika Mogerini. Porositi se Maqedonia duhet t’i shfrytëzojë mundësitë që i ofrohen edhe për fillim të negociatave për inkuadrim me BE-në.

Marketing