Merkel: Vaksina kundër Kovid-19 duhet të jetë e disponueshme për të gjithë

Kancelarja gjermane Angela Merkel sot u zotua për fonde të konsiderueshme për kërkime mbi koronavirusin e ri, duke nënvizuar se një vaksinë e mundshme kundër Covid-19 duhet të vihet në dispozicion për të gjitha vendet.

Marketing

Duke iu drejtuar ligjvënësve në parlamentin gjerman përpara një video-konference midis liderëve të BE-së, Merkel nënvizoi se kthimi në jetën normale në të gjithë botën do të ishte i mundur vetëm pasi të zhvillohej një vaksinë kundër koronavirusit.

“Shkenca nuk është kurrë nacionale, shkenca i shërben njerëzimit”, theksoi Merkel, duke bërë thirrje për bashkëpunim më të fortë ndërkombëtar në përpjekjet për të zhvilluar një vaksinë kundër COVID-19.

“Nëse gjejmë një ilaç ose vaksinë, testojmë dhe aprovojmë atë, atëherë kjo duhet të jetë e disponueshme dhe e përballueshme për të gjithë botën”, theksoi ajo.

Gjermania miratoi të mërkurën e 22 prillit testet e para klinike të një vaksine COVID-19 te njerëzit, e zhvilluar bashkërisht nga kompania BioNTech e profesorit turk Ugur Sahin dhe gjigandi farmaceutik Pfizer.

Sipas të dhënave nga Universiteti Johns Hopkins me qendër në SHBA, deri më tani, rreth 715,000 pacientë me koronavirus janë shëruar nga sëmundja.