Kryetari i Kievit, Vitali Klitschko, mes bombardimeve e krizës në kryeqytet, ka njoftuar për kurorëzimin e një çifti që i ishte bashkangjitur ushtrisë mbrojtëse të vendit.
Lesya dhe Valeria, të veshur me rroba të ushtrisë dhe të shoqëruar nga miqtë e batalionit, janë kurorëzuar në njërën nga postblloqet e ngritura në hyrje të Kievit.
“Jeta vazhdon! Dhe ne do të mbrojmë jetën e Kievit, shtetit tonë!” ka shkruar Klitschko në Facebook, bashkë me videon e kurorëzimit.
Ky është shkrimi i plotë i tij:
Miq! Sot përshëndeta ushtarët e një prej batalioneve të mbrojtjes së kryeqytetit, Lesya dhe Valeria. Ata kanë kohë që jetojnë në një martesë civile, ndërsa tani kanë vendosur të martohen. Ceremonia u zhvillua pranë një prej postblloqeve të ngritura në hyrje të Kievit.
Jeta Vazhdon! Dhe ne do të mbrojmë jetën e Kievit, shtetit tonë!
Gjithashtu ju bëj me dije se në 10 ditët e fundit kanë lindur 457 foshnja në maternitetet e kryeqytetit. Prej tyre 237 janë djem dhe 220 janë vajza.
Ne po mbrojmë kryeqytetin, familjet tona, fëmijët tanë!
Le të qëndrojmë së bashku!