Mes urrejtjes dhe arrogancës nacionaliste: si lindi Kampionati Evropian i futbollit

Nga Giovanni Battistuzzi, Il Foglio

Marketing

Në orën 21:00, në stadiumin “Allianz Arena” të Mynihut, nisi edicioni i 17-të i Kampionatit Evropian të Futbollit. Kanë kaluar mbi 64 vite vjet nga edicioni i parë, dhe 66 vite që nga fillimi i ndeshjeve kualifikuese për këtë kompeticion.

Sigurisht, historia e tij mund të ishte shumë më e gjatë. Ai mund të kishte edhe disa edicione të tjera, për t’u barazuar të paktën me ato të Botërorit. Ky i fundit u mbajt për herë të parë në vitin 1930, në Uruguaj, dhe atje ekipet nga vendet evropiane mbërritën vetëm pas një udhëtimi disajavor me anije.

Megjithatë, Uruguaj arriti ta organizonte atë garë futbollistike, dhe ishin pikërisht mikpritësit e turneut që ngritën në fund Kupën Rime në qiellin e Montevideos, kryeqytetit të vendit. Trofeu u emërua sipas emrit të francezit Zhyl Rime, një njeri që e zbuloi futbollin në fillim të viteve 1890.

Po ashtu, ai themeloi 12 ekipe futbolli në Paris, gazetën Revue që përhapte ide të krishtera, republikane dhe demokratike. Më pas Rime u zgjodh kreu i Federatës Franceze të Futbollit, dhe në fund presidenti i tretë i FIFA-s, kreut të Federatës Botërore të Futbollit.

Zhyl Rime e përkufizonte veten si një optimist, një nga njerëzit që nuk donte të shihte kurrsesi pengesa të pakapërcyeshme në rrugën drejt qëllimeve të tij. Dhe në vitin 1920, kur ai ishte ende në krye të Federatës Franceze të Futbollit, mblodhi në një tryezë të gjithë presidentët e federatave të tjera kombëtare në Bazel të Zvicrës për të diskutuar me ta mbi “nevojën për të krijuar një garë, e cila do të ishte një lajmëtare paqes dhe zhvillimit për kontinentin”.

Rime e përkufizonte veten si një humanist. Ai ishte i bindur se futbolli mund të ishte një sport i aftë të bashkonte njerëzit në një popull të vetëm, atë të futbollit. Gjykuar nga rrethanat e kohës, kur Evropa sapo kishte dalë nga Lufta e Parë Botërore, mund të dukej paksa naiv.

Presidentët e federatave të tjera dhe anëtarët e delegacioneve kombëtare, diskutuan për një fundjavë të tërë. Ata u zunë mbi çdo argument. Francezët kundër gjermanëve, austriakët kundër italianëve, spanjollët kundër belgëve.

Ndërkohë britanikët as që kishin denjuar të merrnin pjesë. Dhe pas atij bojkoti fshihej deliri për veten dhe përbuzja për të tjerët, pasi ata e kishin shpikur atë sport, dhe nuk kishte asnjë ekip në botë që mund të konkurronte me kombëtaren angleze. Në fund diskutimet u mbyllën pa sukses. Vendet e Evropës Qendrore por jo vetëm – Austria, Çekosllovakia, Italia, Zvicra dhe Hungaria – organizuan kupën e tyre ndërkombëtare, Svehla Pokal. Ndërkohë, Zhyl Rime arriti fillimisht të bëhej president i FIFA-s dhe më pas të organizonte Kupën e Botës në futboll.

Ndërkaq Evropa duhej të priste edhe 40 vjet të tjera për të pasur garën e saj futbollistike, dhe për të zgjedhur ekipin më të fortë në kontinent. Në fund, fjalët e Zhyl Rime u shndërruan në një të vërtetë të trishtë dhe ogurzezë: “Në të gjitha vendet e kontinentit, arroganca është me bollëk në çdo formë të mjerueshme pushteti. Dhe çdo njeri që ka qoftë edhe një sasi të vogël pushteti, bart një sasi të madhe të saj. Evropianët i mbijetuan një lufte mizore dhe nuk e kuptojnë se vetëm bashkimi mund të shmangë një luftë tjetër. Fillimisht një bashkim futbollistik, le të jetë të paktën futbolli që t’i lidhë me njëri-tjetrin këta shpirtra të largët. Dhe pastaj kush e di…mund të bashkojë edhe gjithçka tjetër”.

Mbi 100 vjet pas letrës së Zhyl Rime drejtuar mikut të tij, dhe më vonë pasardhësi i tij në krye të federatës franceze të futbollit, Henri Zhevain, Evropa ka bërë disa përparime.

Bashkimi Evropian qëndroi i palëkundur edhe në mesin e një debati, një alarmi idiot dhe akuzave të pabaza për vjedhjen e identitetit dhe sovranitetit kombëtar, duke arritur të garantojë atë që deri atëherë askush nuk kishte arritur të garantonte: paqen midis vendeve dhe programimin periodik katërvjeçar të Kampionatit Evropian të futbollit. Pa pasur më frikë as shtetet, dhe as lojtarët. Dhe kjo nuk është gjë e vogël.