Platforma kombëtare për mësim në distancë ka ngjallur frikë të një pjesë e mësimdhënësve. Thonë se po përballen me vështirësi të ndryshme gjatë trajnimit, posaçërisht ata të cilët kanë mungesë të pajisjeve teknologjike ose përdorimin e kësaj platforme e mësojnë përmes telefonit. Mësimdhënësit druajnë se platforma e Ministrisë së Arsimit do të zbeh punën dhe suksesin e tyre.
Mund të them se është sfidë por njëkohësisht edhe frikë nëse do të jem e suksesshme me të ashtu siç jam e suksesshme në klasë. Trajnimi po ecën rëndë vetëm për shkak të arsyeve teknike, nuk kemi kompjuter, nuk kemi internet, pastaj kërkojmë ndihmë nga kolegët e tjerë, kjo krijon vështirësi – u shpreh Sonjica Milloshevska, grupi klasor.
Kjo platformë është e vështirë për ne më të moshuar që jemi po shpresojmë të dalim në fund me ndihmën e koordinatorëve që i kemi, besoj që s’kemi me pas shumë probleme – deklaroi Semie Islami, mësimdhënëse.
Po ballafaqohemi me një platformë me shumë të panjohura. Do të tentojmë dhe të mundohemi në maksimum që ta përvetësojmë që në të ardhmen ta zbatojmë dhe të bashkëpunojmë me fëmijët – tha Gëzim Osmani, mësimdhënës.
Ndryshe nga mësimdhënësit, trajnuesit thonë se përdorimi i Platformës është relativisht i lehtë por e njëjta është akoma e pakompletuar.
Në platformë ne nuk I kemi lëndët të cilat duhet të figurojnë, për momentin ne kemi një lloj prove të cilën po e bëjmë me kolegët. Gjithashtu në platformë duhet të jenë të kyçur edhe nxënësit. Për nxënësit pyetëm, u interesuam dhe na premtuan se do të jenë të lidhur me të dhënat të cilat janë në ditarin elektronik për momentin, me EMIS, mirëpo ata ende nuk ekzistojnë aty- deklaroi Eniser Nuredini, trajnuese.
Platforma Kombëtare për mësim nga distanca mundëson që nxënësi përmes telefonit ose kompjuterit ta sheh klasën dhe mësimdhënësin. Mund t’i shfrytëzojë të gjitha materialet audio dhe video të vendosura në platformë dhe të punojë detyrat e shtëpisë. Gjithashtu do të ketë edhe kuize të shpejta, teste dhe përmbajtje të tjera inovative. E njëjta është përshtatur që të funksionoj në 5 gjuhë.