Formalisht ekzistojnë shtatë hapa deri sa Maqedonia e Veriut të bëhet anëtare e NATO-s ndërsa i gjithë procesi duhet të përfundojë në fund të këtij viti.
Hapi i parë ishte miratimi i ndryshimeve kushtetuese që dilnin nga marrëveshja e Prespës. Zbatimi i plotë i marrëveshjes mes Shkupit dhe Athinës është gjithashtu kusht për anëtarësimin e në NATO.
Hapi i dytë është që Greqia ta ratifikojë marrëveshjen e Prespës dhe pas kësaj procedura fillon në Aleancën veri-atlantike.
Për hapin e tretë, NATO përgatit Protokoll për hyrjen e një anëtari të ri në Aleancë.
Menjëherë pas kësaj, me hapin e katërt fillon procesi i ratifikimit të Protokollit në 29 shtetet anëtare të NATO-s. Procesi varet nga shteti në shtet. Për shembull në ShBA duhen dy e treta e shumicës për ta votuar protokollon. Në Britani të Madhe s’duhet votë formale në Kuvend. Procesi pritet të mbarojë në fund të këtij viti ndërsa Greqia u deklarua se do të jetë shteti i parë që do ta ratifikojë Protokollin.
Gjatë kohës së ratifikimit të marrëveshjes në kuvendet e shteteve anëtare të NATO-s, Maqedonia ka të drejtë të marrë pjesë në mbledhjet dhe forumet e NATO-s po pa të drejtën e votës.
Hapi i pestë është thirrja për t’u anëtarësuar në NATO nga Sekretari i Përgjithshëm pasi të gjitha shtetet se kanë ratifikuar protokollin.
Në hapin e gjashtë, Maqedonia do ta pranojë edhe formalisht anëtarësimin në NATO me referendum apo me votim në Kuvend.
Me hapin e shtatë, Maqedonia bëhet anëtare e plotë e NATO-s dhe shteti i 30-të në këtë Aleancë ushtarake.