Lionel Messi assesi nuk po mundet të pranojë dy humbjet e mëdha të Barcelonës këtë sezon, saqë ka shkuar deri në atë pikë ku në zonën mikse ka injoruar tërësisht gazetarët.
Barca dukej në rrugën e duhur për ta fituar tripletën, por më pas pasuan përjetimet e rënda – me dy humbje në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve dhe finalen e Kupës së Mbretit mbrëmë.
‘Blaugranasit’ fituan ndeshjen e parë në Camp Nou 3-0 ndaj Liverpool, me një paraqitje brilante nga Messi, por në ndeshjen e kthimit ylli argjentinas u ‘zhduk’ dhe ekipi i Valverdes pësoi humbje 4-0, çka rezultoi me eliminim nga kompeticioni më i rëndësishëm evropian për klube, përcjell lajmi.net.
31-vjeçari ishte aq i tronditur nga eliminimi sa kur kaloi në zonën mikse, aty ku qëndrojnë gazetarët, i refuzoi mikrofonat e shumtë madje as nuk i hodhi një shikim atyre.
I njëjti skenar ndodhi edhe mbrëmë, me Messin i cili pas humbjes në finale ndaj Valencias injoroi në tërësi gazetarët, duke treguar anën e errët të tij.
Humbja e djeshme e la me vetëm një trofe Barcelonën [La Liga] dhe i vështirësoi punët Messit për fitimin e Topit të Artë.