Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, së bashku me kryetarin e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, zëvendëskryeministrin Bujar Osmani dhe kryetarin e partisë Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, ndoqën nga afër operacionet e kërkim-shpëtimit në njërin prej pallateve të dëmtuara nga tërmeti në Durrës, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas njoftimit nga Presidenca e Shqipërisë, Meta u takua edhe me forcat e specializuara të emergjencave civile, të ardhura nga Maqedonia e Veriut, ndërsa ka theksuar se “Nuk do ta harrojmë kurrë ndihmën e Maqedonisë së Veriut”.
Gjatë takimit me ekipin e emergjencave civile të Maqedonisë së Veriut, presidenti Meta u shpreh: “Jam këtu për t’iu falënderuar të gjithëve për punën plot përkushtim që keni bërë këto dy ditë, për të cilën keni vlerësimet më të larta. Kam dëgjuar fjalët më të mira nga autoritetet e Durrësit dhe ato shqiptare që kanë ndjekur nga afër gjithë këtë situatë kaq dramatike të emergjencës”.
Presidenti i Shqipërisë ka theksuar se ky është një moment i rëndësishëm i demonstrimit të solidaritetit midis dy vendeve dhe, sipas tij, një tregues i bashkëpunimit në fushën e emergjencave civile.
“Dua të falënderoj përzemërsisht presidentin Pendarovski, kryeministrin Zaev dhe të gjithë përfaqësuesit e politikës së Maqedonisë së Veriut, të cilët kanë qenë pranë nesh që në fillim dhe vazhdojnë të jenë pranë nesh në përballimin e kësaj fatkeqësie të madhe dhe të këtyre pasojave kaq të rënda, sikurse ju i keni parë dhe i dini më mirë se çdo njeri tjetër”, është shprehur Meta.
Ndërkaq, kryetari i BDI-së Ali Ahmeti ka theksuar se “Jam këtu me kryetarin e parlamentit, me zëvendëskryeministrin, me deputetë, për t’ju inkurajuar për misionin tuaj fisnik. Shpresojmë që tragjedi të tilla të mos ketë më, por këto janë zhvillime të paparashikueshme dhe ne duhet të jemi të përgatitur”, thuhet në njoftimin e Presidencës së Shqipërisë.
Nga tërmeti me magnitudë 6,3 ballë që goditi Shqipërinë më 26 nëntor, sipas të dhënave zyrtare nga ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë, kanë humbur jetën 46 persona. Tërmeti shkaktoi edhe dëme të konsiderueshme materiale, ndërsa vendi u godit në ditët e fundit edhe nga disa tërmete të tjera.
LIVE – Prononcim për mediat në Durrës, pas takimit me njësinë e specializuar të kërkim-shpëtimit të mbërritur nga Maqedonia e Veriut
Publiée par Ilir Meta sur Jeudi 28 novembre 2019