I ftuar në Shkup për ceremoninë zyrtare të betimit të presidentit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, kreu i shtetit shqiptar, Ilir Meta ka zhvilluar edhe një takim të veçantë me homologun e tij, të cilin e përgëzoi për fillimin e detyrës.
Homologët Meta e Pendarovski theksuan rëndësinë e çeljes së negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian të të dy vendeve, si një mesazh i fuqishëm për perspektivën europiane të të gjithë rajonit.
“Neve na bashkon synimi i përbashkët i integrimit europian të vendeve tona, rrugë gjatë së cilës mund të mbështetemi tek njëri-tjetri”, theksoi presidenti Meta.
Meta ka vlerësuar mesazhet dhe qëndrimin e presidentit maqedonas përpara, gjatë dhe pas procesit zgjedhor, si dhe përfundimin me sukses të dy raundeve presidenciale në një frymë të qetë dhe demokratike në Maqedoninë e Veriut.
“Vlerësoj qëndrimin e presidentit të zgjedhur për ndërtimin e një shoqërie shumetnike në Maqedoninë e Veriut dhe ku asnjë popullsi apo komunitet nuk do të ndihet i diskriminuar. Në veçanti çmoj rolin kyç të partive politike shqiptare në proceset integruese të Maqedonisë së Veriut, që u dëshmua dhe në këto zgjedhje. Shqiptarët kanë treguar vazhdimisht që janë promotorë dhe mbështetës të fuqishëm të rrugës europiane dhe zhvillimit të Maqedonisë së Veriut. Edhe gjatë zgjedhjeve presidenciale, me mbështetjen e gjerë ndaj kandidaturës së presidentit të zgjedhur, ata treguan mbështetje ndaj rrugës euroatlantike dhe ndërtimit të një shoqërie dhe shteti shumetnik”, tha presidenti Meta.
Meta shprehu bindjen se Shqipëria do të vazhdojë të jetë mikja më e mirë e Maqedonisë së Veriut, gjithmonë mbështetëse e progresit të saj që prej pavarësisë. “Tashmë kemi hyrë në një fazë të re të bashkëpunimit dypalësh, me qëllim forcimin dhe thellimin në të gjitha fushat”.