Presidenti Ilir Meta shfrytëzoi takimin lamtumirës me Ambasadoren e Sllovenisë Lea Stançiq për të ritheksuar edhe një herë se Shqipëria ndodhet në një krizë të rëndë dhe duhet rikthyer në shinat e demokracisë dhe të shtetit ligjor përpara vendimit të tetorit për hapjen ose jo të negociatave me BE-në.
“Kjo mbështetje na inkurajon për të shtuar përpjekjet tona për kapërcimin e krizës së rëndë ku ndodhet vendi dhe rikthimin urgjent në shinat e demokracisë dhe shtetit ligjor, për t’i shërbyer objektivit strategjik të çeljes së negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Europian gjatë mbledhjes së Këshillit të 17-18 tetorit”, ka deklaruar ai.
Në njoftimin e shpërndarë nga presidenca thuhet se Meta pasi vlerësoi kontributin e Ambasadores së Sllovenisë për forcimin e gjithanshëm të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve mike, vlerësoi se marrëdhëniet ndërmjet Shqipërisë dhe Sllovenisë janë shumë të mira dhe se ekzistojnë hapësirat për të forcuar më tej ato ekonomiko-tregtare.
“Dëshmi e ecurisë mjaft të mirë të marrëdhënieve janë vizitat e shpeshta të autoriteteve më të larta sllovene, të cilat kulmuan me vizitën e presidentit Borut Pahor në Shqipëri”, ka thënë ai./ Top Channel