Meta uron Xhaferin për ligjin e gjuhëve

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta ka uruar kryetarin e Parlamentit, Talat Xhaferi për përmbylljen me sukses të procesit të miratimit të Ligjit për përdorimin e gjuhëve, njofton Koha.

Marketing

“Ju përgëzoj përzemërsisht për përmbylljen me sukses të procesit të miratimit të Ligjit për përdorimin e gjuhëve, ku dhe gjuha shqipe zë zyrtarisht vendin e saj të merituar në Maqedoni. Kjo është një ngjarje historike dhe kuptimplote për shqiptarët, një arritje e madhe dhe e rëndësishme që i kontribuon demokracisë dhe garantimit të të drejtave të barabarta për qytetarët e të gjitha kombësive që jetojnë në Maqedoni.

Kjo arritje përbën gjithashtu një hap shumë te rëndësishëm në kuadër të zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit. Shqiptarët kanë qenë gjithmonë të orientuar drejt vlerave euroatlantike dhe në rastin konkret demonstruan një maturi të admirueshme dhe qëndrim konstruktiv”, thuhet në mesazhin e urimit të presidentit Meta.

Presidenti Meta në letër shkruan se vlerëson jashtëzakonisht shumë rolin e kryeparlamentarit Xhaferi në këtë drejtim, duke i bërë krenarë, siç shkruan Meta, jo vetëm shqiptarët e Maqedonisë, por të gjithë shqiptarët, kudo që ata jetojnë.
“Së bashku me urimet për suksese të mëtejshme në zbatimin sa më të mirë të ligjit, ju dërgoj dhe përshëndetjet e mia më të mira e vëllazërore”, thekson Meta.