Meta: Zgjedhjet nul edhe po i legjitimoi Gjykata

Edhe pse ka nisur pushimet pas një periudhe të ngarkuar politike, Presidenti Meta nuk i ka ndërprerë mesazhet për situatën politike të cilën vijon ta konsiderojë të rënduar. Ai ka bërë publike letërpërgjigjen që i kthen Kuvendit të Shqipërisë në sqarim të dekreteve për zgjedhjet lokale, duke ripërsëritur se 30 Qershori është nul, edhe nëse Gjykatat do ta legjitimojnë atë, transmeton Klan.

Marketing

“Cilido qoftë vendimi i Gjykatës Kushtetuese, ai do të ketë vlerë vetëm për të ardhmen dhe mund të ndikojë për sjelljen e Presidentit në situata të ngjashme, por kurrsesi ky vendim nuk mund të ketë efekt prapaveprues për të legjitimuar procesin e votimeve joshtetërore, vetëm me një konkurrent tashmë siç është realizuar më 30 Qershor 2019.”

Meta paralajmëron shumicën se Gjykata Kushtetuese nuk do të jetë hallka e fundit në betejën ligjore mes Presidentit dhe shumicës parlamentare.

“Askush nuk duhet të harrojë se mbi Gjykatën Kushtetuese janë dhe Gjykatat Evropiane dhe Ndërkombëtare të cilat kanë juridiksion vendimmarrës mbi vendin tonë. Ndaj çdo akt i nxituar me qëllim afatshkurtër shantazhi, kapjeje, apo mllef-nxjerrjeje do të ketë pashmangshmërisht mundësinë e afërme për një gjykim objektiv dhe të pavarur ndërkombëtar në mënyrë të pashmangshme”, thotë Meta.

Presidenti i drejtohet personalisht kryetarit të Kuvendit, Gramoz Ruçi, për të ndalur çdo tentative të shumicës për asgjësimin e opozitës dhe të kontribuojë për rikthimin e dialogut.

“Vazhdoj të shpresoj se me përvojën Tuaj të veçantë në jetën parlamentare, do të bëni përpjekjet më të mira për rivendosjen e dialogut politik dhe rikthimin në normalitet të të gjitha intitucioneve demokratike”, deklaron Meta.

Arsyet pse bëri publike letrën që i adresoi Kuvendit, Meta i shpjegoi në një postim të gjatë në rrjetet sociale ku thotë se është koha tani e jo më vonë për t’i hequr pushtetin e paligjshëm kësaj pakice dhe për t’i rikthyer sovranitetin e marrë tinëzisht qytetarëve shqiptarë.

Marketing