“Zgjedhjet e brendshme në BDI që do të mbahen më 2 korrik, në disa degë të partisë janë të kurdisura dhe në kundërshtim me statutin e partisë”, thotë kryetari i deritanishëm i Degës së BDI-së në Çair, Izet Mexhiti. Në intervistën e tij për gazetën LAJM, Mexhiti tha se fituesit e këtyre zgjedhjeve dihen prej tani dhe se ata janë të përzgjedhurit e kryetarit të BDI-së, Ali Ahmetit. Ndonëse i pyetur, Mexhiti nuk tregoi emrat e fituesve, por tha se këto zgjedhje nuk do të njihen nga “fraksioni i BDI-së”.
“Parashtrohet pyetja, nëse është një anëtar-një votë, atëherë si mund ta dijmë kush janë kryetarët e degëve prej tani. Prej tani dihen kush janë kryetar e dëgeve siç ndodhi në rastin e degëve në Pollog, por krijoi përçarje të reja sidomos në Tetovë ku BDI-ja humbi thellë”, tha Izet Mexhiti.
LAJM: Kush do t’i fitojë zgjedhjet në Degën e Çairit?
“Nuk është vetëm në Çair, në të gjitha degët me dekret i ka caktuar z.Ahmeti, krejt tjetra është farsë, është teatër”, tha Mexhiti.
LAJM: Ju nuk merrni pjesë në garën për Degën e BDI-së në Çair. Si i keni raportet me kandidatët që synojnë të marrin pozitën që e keni ushtruar ju deri tani.
“E kemi menduar a duhet të marrim pjesë apo jo, por kur e shohim se në Çair, u caktua Bujar Osmani koordinator dhe brenda natës u tërhoq Bujar Osmani, mandej caktohet një koordinator tjetër apo komision, pra krejt këto janë organe jostatutare, në krye me z.Bunjaku, me katër anëtarë tjerë. Nuk e di formën se si e kanë përzgjedhur atë komision. Pra, edhe ajo është jostatutare, pastaj rianëtarësimin e bëjnë në mënyrë superselektike, dmth me njerëz që janë të bindur apo i kanë të kapur në administratë, shtet, etj. Pra, gjithçka bëjnë vetëm sa për tu dukur demokratike dhe vlerësimi ynë është që nëse hyjmë në këtë proces, nuk është proces demokratik dhe do mund të krijojmë huti tek anëtarësia dhe do të legjitimojmë një proces jostatutar, jodemokratik. Prandaj vendosëm mos të marrim pjesë dhe them se nuk do e njohim atë proces”, tha Mexhiti për gazetën LAJM. https://youtu.be/1EfVoqfYw7g