Mexhiti: Asnjëherë më parë komunat shqiptare nuk kanë marrë kaq shumë mbështetje, qindra projekte në realizim

Zëvendëskryeministri i parë, Izet Mexhiti, ka deklaruar se qeveria aktuale po bën një shpërndarje shumë më të drejtë të buxhetit shtetëror, duke u dhënë komunave shqiptare një mbështetje që nuk është parë më parë në asnjë qeveri të mëhershme.

“Sa për informatë, nga rreth 1 miliardë euro buxhet, afro 300 milionë euro shkojnë për komunat shqiptare. Kryetarët e komunave e pohojnë vetë në takime me qeverinë se kurrë më parë nuk kanë pasur një mbështetje të tillë”, theksoi Mexhiti.

Ai nënvizoi se aktualisht janë të gatshme me qindra projekte, që përfshijnë si infrastrukturën nëntokësore, ashtu edhe ndërtimin e çerdheve dhe objekteve të tjera me rëndësi për komunitetin shqiptar. Sipas tij, ritmi i përgatitjes dhe nisjes së projekteve është aq i lartë sa që vetëm faza fillestare do të zgjasë deri në tetor apo nëntor.

“Ka më shumë mjete, më shumë ide, projekte konkrete që po i realizojmë. Këto janë projekte të kapshme, të prekshme nga shqiptarët”, tha ai.

Një nga projektet më të mëdha që ka marrë dritën jeshile, sipas Mexhitit, është kampusi universitar “Nënë Tereza” me një vlerë prej 35 milionë euro.

Marketing