Zëvendëskryeministri i parë dhe Ministër i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, z. Izet Mexhiti mori pjesë në aksionin e mbjelljes së fidaneve në Mega Parkun e ri në komunën e Karposhit, pjesë e aksionit për gjelbërimin urban të Shkupit, me donacion nga Bashkimi Europien përmes projektit ‘BE për ajër të pastër’.
Gjatë nismës për mbjelljen e 956 drunjve, në prani të ambasadorit të Bashkimit Evropian në Maqedoninë e Veriut, Mihalis Rokas, përfaqësuesit të UNOPS-it në Maqedoninë e Veriut Marko Vujaçiç, dhe kryetares së Qytetit të Shkupit Danela Arsovska, Mexhiti tha se kjo nismë thekson fuqinë e partneriteteve midis Bashkimit Evropian, pushtetit qëndror dhe pushtetit lokal si dhe partnerëve zbatues si UNOPS-i.
‘Duke punuar së bashku, kemi harmonizuar me sukses burimet, ekspertizën dhe një angazhim të përbashkët për përmirësimin e mjediseve urbane. Duke mbjell 956 pemë, të cilat janë dy dhe tre vjeçare, nga 16 lloje pemësh autoktone, të cilat përveç efektit në reduktimin e sasisë së CO2 në atmosferë, do të apsorbojnë edhe grimcat PM, do t’i kufizojnë efektet e ishujëve të nxehtësisë urbane, ndërsa gjelbërimi i disa lokacioneve në qytet do ta bëjë mjedisin shumë më të këndshëm dhe më atraktiv për aktivitete rekreative, siç janë brigjet e lumit Vardar’ tha Mexhiti.
Mexhiti informoi se aksioni nuk do të zbatohet vetëm në Shkup, por se veprime të tilla janë ndërmarrë dhe do të ndërmerren në qytetet e Tetovës, Kumanovës dhe Manastirit dhe do t’ju mundësohet katër qyteteve më të mëdha në Maqedoninë e Veriut t’i bashkohen nismës së Këshillit Ekonomik të OKB-së për Evropën “Sfida e pemëve në qytete”, sepse do të mbjellen rreth 6000 pemë kryesisht me gjelbërim të përhershëm si pjesë e masave kundër ndotjes së ajrit.
Ambasadori i BE-së tha se përmes kësaj nisme është pasuruar biodiversiteti i qytetit, duke kontribuar në një ekosistem urban më të shëndetshëm,duke shtuar se mbjellja e afro 1000 pemëve kontribuon në filtrimin e ndotësve të dëmshëm nga ajri dhe rregullon ciklet hidrologjike dhe përmirëson hapësirat e gjelbra të Shkupit.
Kryetarja e Shkupit Danella Arsovska tha se këto lloj nismash përfaqësojnë veprime konkrete për të reduktuar ndotjen e ajrit, duke adresuar një nga sfidat urgjente mjedisore.
Drunjtë që u mbollën sot janë dhuruar nga BE-ja përmes projektit të BE-së për ajër të pastër, ndërsa mbjelljen e ka bërë Qyteti i Shkupit përmes Ndërmarrjes Publike Parqe dhe Gjelbërim.