Zëvendëskryeministri i parë i RMV-së, Izeti Mexhiti, ka reaguar me një status në Facebook, duke deklaruar se “dje ranë maskat” dhe se protagonistët e asaj që ai e quan “seriali latin” kanë pranuar publikisht marrëveshjen e fshehtë të bashkëpunimit që, sipas tij, ka ekzistuar gjatë gjithë kohës.
Mexhiti thekson se përpjekjet për “rrënimin e qeverisë” kanë dështuar, duke ironizuar me “fjalimet bombastike, viktimizimin dhe patriotizmin me bateri”. Ai thekson se ndryshimi do të vazhdojë pa “heronj të rrejshëm për një përdorim”, dhe se 107.000 votuesit shqiptarë kanë të drejtë të ndihen të tradhtuar.
“Lufta kundër korrupsionit nuk ka alternativë,” shkruan Mexhiti, duke paralajmëruar përgjegjësi për pasurimin e paligjshëm. Në përfundim, ai i sugjeron opozitës që në vend të retorikës, të dëshmojë gatishmëri për hetim me vepra konkrete – duke filluar, siç thotë ai, me dorëzimin e “superfunksionarit të listës së zezë” tek organet e hetuesisë.