Mexhiti: Edhe pas 23 viteve të nënshkrimit të MO, decentralizimi edhe më tej vazhdon të mbetet sfidë!

Në panel diskutimin e mbajtur sot, në shënimin e ditës së nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit, organizatori dhe nikoqiri Izet Mexhiti në cilësinë e zv Kryeministrit të parë mes tjerash tha:

Marketing

“Si një ish kryetar komune, dhe më besoni, kam qenë kryetar komune në kohërat më të vështira për një komunë të sapoformuar dhe për një kryetar të sapozgjedhur, e kuptoj dhe e njoh në thelb kompleksitetin e këtij procesi. Decentralizimi është një materie e gjallë, dinamike, që ndryshon siç ndryshojnë nevojat e qytetarëve, dhe për këtë arsye është detyrë e pushtetit qendror që të angazhohet shumë më shumë në fuqizimin e autoriteteve lokale duke ju ofruar atyre më shumë resurse, më shumë pavarësi, më shumë mundësi për zhvillim dhe efikasitet, sepse komunat janë dera e parë ku qytetarët drejtohen kur kanë nevojë. Unë nuk do ta zgjas shumë dhe nuk do të merrem me aspektet e veçanta – problemet specifike të decentralizimit. Por, parimisht, do të them se na nevojitet një rishikim i zgjidhjeve të vendosura disa vite më parë. Ka shumë sfera në të cilat ndarja e kompetencave në praktikë gjegjësisht në terren duket absurditet. Në ato aspekte nevojitet një ridefinim dhe riorganizim i mekanizmave dhe zgjidhjeve ekzistuese ligjore.”