Zv.kryeministri Izet Mexhiti sot në konferencë për shtyp, ka folur për çështjen e ish-ushtarit të UÇK-së Blerim Ramadani, i cili u arrestua nga Policia e Maqedonisë, ndërsa gjatë ditës së djeshme u arratis nga arresti shtëpiak.
Mexhiti e akuzoi opozitën se kanë kundërshtuar vendimin që të lirohet ish-ushtari Ramadani, duke shtuar se “kanë gënjyer kur kanë thënë se është rasti i parë që një ish-ushtar i UÇK-së arrestohet në RMV”.
“Edhe unë edhe ju e dini që Prokurorinë e Krimit të Organizuar kush e udhëheq dhe cili është problemi. Diçka tjetër bëjnë, diçka tjetër thonë. Kanë qenë në kundërshtim për ta ndihmuar ish-ushtarin e UÇK-së. U munduan me lajme të rrejshme të thonë se është rasti i parë i arrestimit të ish-ushtarëve, ndërsa të njëjtit mbrëmë u lavdëruan për rastin Dugolli se si në kohën e tyre është liruar që edhe kjo nuk është e vërtet, është rrena e dytë për shkak se Dugolli është liruar kur është sjell vendimi i Gjykatës Supreme”, tha Mexhiti.
Ai uroi që të mos ketë raste të ngjashme në të ardhmen, duke shtuar se janë ngarkesë për shtetin, por se edhe dëmtojnë marrëdhëniet në mes Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës.