Mexhiti i vlerëson si kasaphane sulmin dhe sjelljet e zyrtarëve të BDI-së

Opozita dënon ashpër sulmin ndaj kontrollorëve në M-NAV. Izet Mexhiti nga Lidhja Evropiane për Ndryshim thotë se BDI-ja është tjetërsuar krejtësisht, shkruan Alsat.

Marketing

Sipas tij sjelljet e funksionarëve të BDI-së flasin për një nervozë ekstreme që po i detyron të bëjnë gabime.

“BDI është tjetërsuar krejtësisht, nuk e njohim as ne që kemi qenë në fillim atje dhe i ngjan më kasaphanës 2006-2008, flet për një nervozë ekstreme dhe kjo nervozë i detyron që çdo ditë, edhe vitin e ri ta fillojnë me probleme të reja edhe me gabime të reja”, tha Izet Mexhiti, LEN.

Nga VMRO-DPMNE kërkojnë arrestimin e Bekim Nezirit dhe dorëheqje të parevokueshme të drejtorëve dhe anëtarëve të trupit udhëheqës në M-NAV-it si dhe dorëheqjen e ministrit të Transportit Bllagoj Boçvarskit.

“BDI me siguri në emër të pushtetit lëshon dhunues tek kontrollorët, pasi në konkursin për punë nuk kanë hyrë kuadrot e paaftë të partisë. BDI prej koalicionit evropian, lëshon dhunues, ndërsa ministri i LSD-së, i paafti Boçvarski, prej koalicionit proevropian, akoma hesht. Ende hesht edhe Oliver Spasovski, ministri i policisë. Dhunuesit futen në kullën e kontrollit, kanë rrahur të punësuar në kontrollin e fluturimeve, dhe në vend të një aksioni urgjent të forcave speciale, nuk ka aksion policor për zbardhjen e rastit”, u shpreh Naum Stoilkovski, VMRO-DPMNE.

Sulmi në M-NAVndodhi një ditë më parë, kur sipas kreu të sindikatës së Kontrollorëve, kreu i degës së BDI-së në Çair, Bekim Neziri se bashku me 7 persona të tjerë u fut në hapësirat e objektit të kontrollit të trafikut ajror. / Alsat.mk