Mexhiti: Jemi të përkushtuar seriozisht për avancimin e mekanizmave për sigurimin e qasjes në drejtësinë ekologjike

Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti, sot mori pjesë dhe mbajti fjalim në konferencën ndërkombëtare me temën “Ombudsmanët dhe Institucionet Kombëtare për të Drejtat e Njeriut dhe Mjedisin”, që do t’u mundësojë ombudsmenëve dhe institucioneve kombëtare të të drejtave të njeriut nga i gjithë rajoni dhe më gjerë të ndajnë njohuritë dhe strategjitë për ruajtjen e të drejtave të njeriut në kushtet e kërcënimeve ndaj mjedisit.

Marketing

Në hapje të Konferencës, zëvendëskryeministri i parë Mexhiti, theksoi se në Republikën e Maqedonisë së Veriut e drejta për një mjedis të shëndetshëm si e drejtë themelore e njeriut është e garantuar me Kushtetutë, duke theksuar se në vendin tonë e drejta ekologjike mbulon një gamë të gjerë të rregullimeve juridike në fushën e mjedisit, para së gjithash legjislacioni kombëtar, rregullimi juridik ndërkombëtar, përkatësisht konventat ndërkombëtare dhe marrëveshjet dhe dokumentet tjera juridike në sferën ndërkombëtare, si dhe legjislacioni i Bashkimit Evropian.

“Si Qeveri jemi të përkushtuar seriozisht në krijimin dhe zbatimin e politikave për reduktimin e presionit që njerëzit e ushtrojnë mbi mjedisin, mbrojtjen dhe përmirësimin e cilësisë së mjedisit njerëzor, por edhe sigurimin e mbrojtjes së vetë natyrës dhe biodiversitetit”, duke shtuar se nga ana tjetër, kjo nënkupton sigurimin e një segmenti social përmes pjesëmarrjes së publikut në vendimmarrje, por edhe përmes përdorimit të qëndrueshëm të burimeve natyrore me qëllim të transformimit të gjelbër të sistemit ekonomik dhe rritjes së mundësive për të ashtuquajturat punë të gjelbra.

Mexhiti, theksoi se Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor ka krijuar mekanizma për qasje të publikut në informata dhe për pjesëmarrje të publikut në vendimmarrje, por është e nevojshme të përmirësohen mekanizmat për sigurimin e qasjes në drejtësinë ekologjike. Sipas tij, është e një rëndësie të veçantë forcimi i rolit të Avokatit të Popullit në sigurimin e drejtësisë ekologjike në vend, si dhe forcimi i aftësisë së institucioneve kombëtare të të drejtave të njeriut për t’iu përgjigjur sfidave ekologjike përmes mësimit dhe nismave të përbashkëta, duke siguruar se ato do të përgatiten dhe pajisen për zgjidhjen e çështjeve të reja.

Armen Grigorjan, përfaqësuesi i Përhershëm i Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP), tha se duhet ta lidhim mbrojtjen e mjedisit jetësor me përmirësimin e drejtësisë, respektimin e sundimit të ligjit dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut. “Gjatë negociatave politike që po zhvillohen në nivel multilateral, përfshirë Samitin e Kombeve të Bashkuara për Klimatin në Azerbajxhan dhe atë për biodiversitetin në Kolumbi, po ndjehet gjithnjë e më shumë se diskutimet nuk janë të mjaftueshme. Jemi dëshmitarë të sfidave mjedisore me të cilat përballet shoqëria maqedonase në këtë moment.

Lufta për shpëtimin e planetit tonë nuk është vetëm politike, por edhe juridike, e bazuar në norma, standarde dhe principe për të drejtat e njeriut, dhe pikërisht në këtë kontekst duhet të mbështesim institucionet kombëtare për të drejtat e njeriut dhe avokatët e popullit për të përmbushur rolet e tyre, veçanërisht në përparimin e të drejtës për një mjedis të pastër, të shëndetshëm dhe të qëndrueshëm. Rolet e tyre në promovimin e drejtësisë mjedisore do të bëhen gjithnjë e më të rëndësishme në vitet në vazhdim, në kohën kur burimet dhe kapacitetet janë tashmë në kufirin e shfrytëzueshmërisë. Por lajmi i mirë është se po vendosen themelet për drejtësinë mjedisore.”

Avokati i Popullit, Naser Ziberi, u ndal në sfidat me të cilat përballet bota nga këndvështrimi i mjedisit dhe efektet shkatërruese nga mungesa e kujdesit. Ai shprehu shqetësimin e tij se gjendja e mjedisit në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe realiteti nuk janë në përputhje me angazhimin kushtetues për një mjedis të shëndetshëm të parashikuar në nenin 43 të Kushtetutës. “Megjithatë, më gëzon fakti që në këtë konferencë kemi përfaqësues nga Gjykata Supreme dhe avokatë të popullit nga shumë shtete, me kontributin e të cilëve do t’i forcojmë kapacitetet,” deklaroi Ziberi, duke shtuar se deri në tetor të këtij viti, rreth 40 ankesa janë dorëzuar te Avokati i Popullit në lidhje me mjedisin.

Konferenca ndërkombëtare do të mbahet nga 20 deri më 21 nëntor në Shkup dhe është organizuar në kuadër të projektit “Përmirësimi i rolit të Avokatit të Popullit në drejtësinë mjedisore”, e financuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Norvegjisë dhe implementuar në bashkëpunim me Programin e Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) dhe Zyrën e Komisionerit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut në Shkup.

Marketing