Mexhiti: JU FALEMINDERIT QË BESUAT! JU FALEMINDERIT që votuat ndryshimin!

Në prezantimin e Ministrave dhe programit të qeverisës të VLEN, Izet Mexhiti tha fokusi i tyre do të jetë në punë dhe respekt ndaj institucioneve të vendit dhe shtoi se këtë mund ta bëjë vetëm vetëm gjenerata e re e drejtuesve ekzekutiv të liruar nga barra e së kaluarës.

Marketing

Fjalimi i plotë:

JU FALEMINDERIT QË BESUAT! JU FALEMINDERIT që votuat ndryshimin!

Sot, nga kjo konferencë promovuese të shtyllave programore dhe ekipit të ri qeveritar do të prezantoj shkurtimisht sfidat tona përgjatë katër viteve në vijim.
Aristoteli ka thënë: “Nuk mjafton që të fitohet lufta. Është shumë më me rëndësi që të organizohet paqja.” Neve na pret punë e madhe në tranzicionin dhe konsolidimin e institucioneve tona: në çlirimin e tyre; në rivendosjen e qeverisjes së mirë; në rindërtimin e mediave të lira; dhe sidomos në rikthimin e besimit të humbur tek gjyqësori dhe prokuroria. Unë besoj se kjo gjë, me ndihmën e miqve dhe partnerëve tanë, ËSHTË E MUNDUR!
Para jush sot po prezantoj një platformë të re: platformë e patriotizmit si dituri, patriotizmit si profesionalizëm, dhe si përgjegjësi. Koha e demagogjisë ka përfunduar. Sot kërkohen njerëz të arsimuar, me përvojë dhe guxim për të qenë bartës të proceseve komplekse reformuese për ta bërë vendin tonë një vend normal, të zhvilluar ekonomikisht, dhe të gatshëm për t’u integruar në Bashkimin Evropian. Ne do të fokusohemi në punë; respekt ndaj institucioneve; përgjegjësi ndaj detyrës së marrë; realizim të obligimeve me përpikmëri dhe sukses. Këtë mund ta bëjë vetëm gjenerata e re e drejtuesve ekzekutivë që janë të liruar nga barra e të vjetrës, nga hipotekat e të shkuarës, nga folklori fjalë plot e
punë pak. Këta jemi ne – gjenerata e politikanëve që barazinë e kanë në kodin gjenetik, jo në fjalimet politike; gjenerata e politikanëve që barazinë do ta arrijnë me vepra dhe jo me fjalë boshe!
Gjatë gjithë kohës na kanë akuzuar se nuk kemi legjitimitet. Unë sot përpara jush po e përsëris: VLEN është fitues i zgjedhjeve në kampin politik shqiptar. VLEN është faktori i ri politik i cili me legjitimitet, dinjitet dhe përgjegjësi përfaqëson shqiptarët. VLEN është struktura e re politike e cila do të jetë bartëse e tranzicionit të suksesshëm institucional dhe do ta bëjë secilin shqiptar krenar që identifikohet me ne.
Akoma pa u bërë qeveria na ka sulmuar makineria propaganduese e rivalëve tanë politikë. Por sot nuk dua të merrem me ata. Ju më njihni mua. Nuk jam politikan i fjalëve të mëdha. Por, fjalën e dhënë e mbroj dhe luftoj që ta realizoj deri në fund. Prandaj sot, shumëkush nga rivalët e mi do të merret me atë se çfarë do të bëj unë si ministër. Por si fillim, po u them se çfarë NUK DO TË BËJ UNË SI MINISTËR:
– Nuk do të luaj futboll me ministrat në kabinet!
– Nuk do të dal me valixhe përpara institucioneve publike!
– Nuk do të merrem me bizneset e Llotarisë e Soravisë!

Para dy javësh me 80 vota u miratua reforma e organeve të administratës shtetërore. Këtë reformë e votuan edhe shumica parlamentare edhe opozita, dhe përgjegjësinë për këtë ndryshim e mbajmë të gjithë. Në periudhën në vijim do të bëhet një riformatim dhe transformim i madh i ministrive. Por, ndërkohë që forma do të ndryshojë, përmbajtja – pra, konceptet themelore do të ngelin të njejta: të drejtat e shqiptarëve edhe më tej do t’i garantojë dhe mbrojë Kushtetuta dhe Marrëveshja e Ohrit.
Balancuesi me të cilin shumë maqedonas u bënë shqiptarë që të mund të punësohen do të
zëvendësohet me Ligj për përfaqësimin e drejtë. Kjo do të bëhet që përfaqësimi i drejtë të kthehet në obligim ligjor, jo të ngelet mekanizëm për pazare politike siç ishte rasti deri më tani. Këtu dua ta bëj të qartë, dhe më dëgjoni me vëmendje: ASNJË IVAN, E SIDOMOS JO IVAN STOILKOVIQI, NUK MUNDET KURRË QË T’I NDRYSHOJË FAKTET E KRYERA!
Në kabinetin e ri unë do ta drejtoj Ministrinë e Ambientit Jetësor.
Të nderuar,
Gjatë viteve të kaluara shoqëria jonë ka qenë më tepër e fokusuar në aspektet ekzistenciale të saj. Për shumëçka e kemi nisur nga pika zero. Por, në të ardhmen vëmendja dhe resurset tona duhet patjetër të përqendrohen që vendbanimet tona të mos duken më sikurse të ishin vendbanime të botës së tretë. Ne e kemi për obligim që të punojmë t’u afrohemi sa më shumë vlerave civilizuese të vendeve perëndimore duke u kujdesur për ambientin jetësor dhe hapësirat përreth nesh. Në këtë ndryshim besojmë dhe zotohemi që ta realizojmë!