Mexhiti: Ka mjaftueshëm vaksina, të ndalojmë përhapjen e kollës së keqe

Brenda disa ditësh në vendin tonë janë evidentuar dy raste të kollës së keqe. Njëri është nga Kërçova, ndërsa rasti i dytë është foshnja gjashtëmuajshe nga Shkupi, e cila tashmë ndodhet në spitalin “Kozle”. Të dy pacientët janë të pavaksinuar me Di-Te-Per, megjithatë situata aktualisht është stabile për dallim nga disa vende të rajonit, ku është shpallur epidemi. Ministri i Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti dhe njëherë ka bërë thirrje për vaksinimin e fëmijëve me Di-Te-Per, që sëmundja mos marrë të njëjtat përmasa edhe në vendin tonë.

Marketing

“Vaksinat janë të mjaftueshme, prandaj është dhënë urdhër që të kontrollohen të gjitha kartelat e vaksinimit të foshnjave. Është koha për të ndryshuar mentalitetin. Çdo vaksinim do të thotë të shpëtosh një jetë. Prandaj u bëj thirrje prindërve që për hir të fëmijëve t’i vaksinojnë dhe të parandalojnë përhapjen.”, – deklaroi ministri i Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti.

Në vendin tonë, viteve të fundit në mënyrë drastike ka rënë vaksinimi me Di-Te-Per vaksinën që mbron nga kolli i keq. Kolli i keq bën kërdinë në rajon. Në Beograd është shpallur epidemia me mbi 400 raste, kurse në të gjithë Serbinë janë mbi 900 të infektuar. Në Kroaci janë regjistruar rreth 4.000 fëmijë të sëmurë, kurse në Bosnjë para Vitit të Ri, për shkak të një infeksioni të fuqishëm bakterial ndërroi jetë një foshnje 1,5 muajshe.