Mexhiti: Kampusit të UNT-së do ia kenë lakmi të gjitha universitetet – akuzat e BDI-së janë qesharake!

Zv.kryeministri i parë, Izet Mexhiti, ka reaguar pas akuzave të BDI-së, se në buxhetin për vitin 2025 janë paraparë vetëm 209 mijë euro për kampusin e Universitetit Nënë Tereza.
Në një prononcim për gazetën LAJM, Mexhiti, tha se këto akuza janë qesharake, ndërsa shtoi se për ndërtimin e këtij projekti ka vendim qeveritar dhe se kampusit të ri të UNT-së do ia kenë lakmi të gjitha universitetet e vendit, për standardet e larta që do të ketë.
“Kjo është tendencë për manipulimin e opinionit. Mos të mërziten për këtë punë. Ka vendim të qeverisë 35.5 milion euro janë ndarë për ndërtimin e kampusit universitar “Nënë Tereza”. Pra, ligji e parashikon që ka procedura të tenderimit 1 vjeçare dhe ka procedura që janë shumë vjeçare. Në këtë rast, kur kemi të bëjmë me një projekt madhor, projekt kompleks të cilin edhe po të duam nuk mund ta realizojmë brenda vitit dhe kur është tenderimi shumëvjeçar mjafton të ndahen edhe 100 mijë euro për ta filluar procedurën, mirëpo ajo është e rëndësishme ka vendim qeverie, ashtu siç do të shkojë realizimi i projektit, ashtu do të financohet prej qeverisë. Mos të mërziten për këtë punë sepse do të ballafaqohen me realitetin, me projektimin, me realizimin e projektimit. Pra, vetëm projektimi i këtij kampusi universitar ka kushtuar diku gjysmë milioni euro. Pra, është qesharake të flasim se janë ndarë vetëm shuma simbolike. Pra, nëse janë mërzitur, unë do t’i sigurojë të rrinë rehat dhe të merren me ide tjera, projekte tjera. Universitetit Nënë Tereza, ja kanë lakmi edhe universitetet maqedonase për kampusin që do e kënë me standarde të larta për studentët që do të studjojnë në këtë universitet në të ardhmen”, u shpreh Mexhiti për gazetën LAJM.

Marketing