Zëvendëskryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, Izet Mexhiti, i pyetur për reagimet në lidhje me propozimin për emra të rinj të rrugëve në Tetovë, deklaroi se disa gjëra nuk duhet të përkthehen, duke i dhënë si shembull emrat “Kongrese dhe Manastire”, të cilat u kundërshtuan nga Lidhja e Luftëtarëve të Tetovës.
Mexhiti theksoi se Tetova është një qytet me shumicë të madhe shqiptare, por, sipas tij, 99% e emrave të rrugëve, shkollave dhe institucioneve publike janë të lidhura me historinë maqedonase.
“Çfarë ka të keqe që në një qytet me shumicë shqiptare të ketë rrugë dhe institucione me emra të personaliteteve dhe ngjarjeve shqiptare?” – tha zëvendëskryeministri.
Izet Mexhiti theksoi gjithashtu se kryetari i Tetovës, Bilal Kasami, nuk kishte kërkuar që të vendosen emra të historisë shqiptare në Strumicë apo në Gjevgjeli, por në një qytet ku shqiptarët janë popullsi dominues.
“Ne jemi pjesë e Maqedonisë së Veriut. Nga e gjithë bota ka emra rrugësh, por disa propozime shqiptare kundërshtohen. Më shumë janë të përfshira datat nga Rusia dhe Ukraina sesa nga historia shqiptare në Maqedoninë e Veriut.”
Ai shtoi përvojën e tij personale: “Kam jetuar në një rrugë ‘7 Korriku’, që është dita e kryengritjes serbe. Në atë rrugë nuk kishte asnjë serb. Pra, mund të ketë emra nga historia serbe dhe ruse, qytete nga Ukraina dhe nga e gjithë bota, por nuk mund të ketë emra nga historia shqiptare?”
Zëvendëskryeministri Mexhiti theksoi gjithashtu se qindra rrugë në Maqedoninë e Veriut mbajnë emra të lidhur me Luftën Çlirimtare, e që, sipas tij, nuk do të thotë se nuk duhet të ketë rrugë me emra shqiptare që do të pasqyrojnë realitetin multietnik të shtetit.