Kryeministri Mickoski është i shoqëruar nga zv/kryeministri Izet Mexhiti në vizitën zyrtare në Turqi. Mexhiti njoftoi se në këtë takim të rëndësishëm është diskutuar forcimi i partneritetit strategjik midis Maqedonisë së Veriut dhe Turqisë.
Njoftimi i Mexhitit:
Sot, së bashku me kryeministrin Mickoski dhe ministrin e Jashtëm Mucunski, zhvilluam një takim tejet të rëndësishëm me Presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan. Në qendër të diskutimeve ishte forcimi i partneritetit strategjik midis Maqedonisë së Veriut dhe Turqisë.
Pas takimit, nënshkruam Deklaratën e Përbashkët Politike për themelimin e Këshillit të Nivelit të Lartë për Bashkëpunim, një hap kyç që do ta çojë marrëdhënien tonë në një nivel të ri dhe më të thellë.
Ky këshill do të përcaktojë strategjinë për bashkëpunimin dypalësh në fusha kyçe si politika, siguria, mbrojtja, tregtia, energjetika, arsimi, rinia, shëndetësia, transporti, transformimi digjital, bujqësia, infrastruktura, mediat, komunikimi, kultura, turizmi, shkenca, sporti dhe lidhjet mes qytetarëve të të dy vendeve.
Ky është një hap i rëndësishëm drejt një partneriteti më të fortë, më të thellë dhe afatgjatë mes dy vendeve tona!