Zv.kryeministri i parë i qeverisë, Izet Mexhiti, në kuadër të Kuvendit Zgjedhor të Forumit të Gruas së Lëvizjes Demokratike, theksoi rëndësinë e përfshirjes së grave në politikë dhe vendimmarrje, duke e konsideruar këtë si një nga shtyllat kryesore të angazhimit politik të partisë.
“Në kemi thënë që përfaqësimi i grave është gjysma e shoqërisë. Do të jetë një nxitje e jona për ta faktorizuar gruan shqiptare. Lëvizja Demokratike konsideron përfshirjen e grave dhe një politikë adekuate mbi baza gjinore si alfa dhe omega e secilës nismë politike e ligjore,” tha Mexhiti.
Në këtë eveniment u themelua Forumi i Gruas së Lëvizjes Demokratike, që sipas Mexhitit, është një hap i rëndësishëm drejt fuqizimit të rolit të grave në politikë dhe shoqëri. Ai shtoi se ky forum do të shërbejë si platformë për përfaqësimin e zërit të grave në proceset vendimmarrëse, duke frymëzuar gjeneratat e reja drejt lidershipit.
Mexhiti vlerësoi përkushtimin e deputetes Saranda Imeri, e cila do të drejtojë këtë forum, dhe shprehu krenarinë për përfaqësimin e grave brenda Lëvizjes Demokratike, ku tre deputete, një zëvendësministre dhe zëdhënësja e qeverisë mbajnë pozita kyçe.
“Forumi i Gruas është një dëshmi e përkushtimit tonë për ta vendosur barazinë gjinore në epiqendër të veprimeve tona politike dhe për të siguruar që gratë të kenë rolin që meritojnë në çdo sferë të jetës shoqërore dhe politike,” përfundoi Mexhiti.